Tregtia dhe shërbimet online do t’i nënshtrohen kontrolleve të imtësishme nga Administrata Tatimore. Strategjia kundër informalitetit në këtë sektor fokusohet te: identifikimi i bizneseve që ushtrojnë aktivitet online; deklarimi i saktë i qarkullimit dhe përmbushja e detyrimeve të TVSH-së; deklarimi i punonjësve dhe pagave; respektimi i rregullave të faturimit elektronik, si dhe përdorimi i analizës së riskut.
Në lupën e Administratës Tatimore do të kalojnë mbi 2 mijë subjekte aktive të identifikuara si pjesë e sektorit.
Mesazhi kryesor për bizneset online është se aktiviteti në internet nuk i përjashton këto biznese nga detyrimet tatimore.
Përmes këtij plani, Administrata Tatimore synon të mbështesë zhvillimin e një tregu online transparent dhe të formalizuar, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë dhe duke kontribuar në uljen e ekonomisë informale dhe rritjen e të ardhurave buxhetore.
Vendosja e sektorit online nën monitorim lidhet me zgjerimin e fortë të këtij tregu, pasi nga të dhënat, mbi 42% e individëve të moshës 16-74 vjeç rezulton se kanë kryer blerje online gjatë vitit 2024.
Pandemia COVID-19 e shndërroi blerjen online nga një zgjedhje e pakicës në një zakon të përditshëm konsumi për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Ndërsa kategoritë mbizotëruese janë veshjet, këpucët, aksesorët, e ndjekur nga ushqimi me porosi./abcnews.al


