Ndërtimet pa leje para vitit 1991, miratohen procedurat e legalizimit

schedule14:35 - 20 Korrik, 2018

schedule 14:35 - 20 Korrik, 2018

Rreth 60 mijë objekte të ndërtuara para viteve ‘91 në të gjithë territorin e vendit, pritet të ligjërohen dhe hipotekohen. Vendimi i Këshillit të Ministrave ngarkon zyrat rajonale të ALUIZNI-t, për ecurinë e procesit, që do të bëjë pronarë të ligjshëm poseduesit e këtyre objekteve,që rezultojnë të paregjistruar.

Të gjithë qytetarët, që posedojnë objekte të ndërtuara para vitit ‘91, të cilët nuk kanë mundur t’i hipotekojnë për shkak të mungesës së dokumentacionit, do të kenëmundësi të përfitojnë nga VKM-ja e qeverisë, që i ben ata pronarë edhe ligjërisht.

Ky proces, i cili ka për qellim të formalizojë atë kategori pasurish të paluajtshme, që zotërohen prej vitesh nga pronarët që nuk kanë mundur t’i regjistrojnë do të kryhet nga zyrat vendore të ALUIZNI-t.

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, nga Korça dha detaje për vendimin e qeverisë dhe mënyrën si qytetarët mund të aplikojnë për të regjistruar këtë kategori pronash.

“Duke filluar nga Shtatori të gjithë qytetarët e interesuar për regjistrimin e banesave të tyre të ndërtuar para vitit ’91 do të paraqiten pranë sporteleve tona për të aplikuar për regjistrim. Ndërkohë këta qytetarë mund të fillojnë vetë grumbullimin e atij dokumentacioni personal, që kanë në shtëpi. Dokumete të çfarë do lloji që posedojnë, leje ndërtimi, akte pronësie, skcia, akte shit-blerje, dokumente të tjera provuese që në kohë të Zogut apo më parë”, tha Lame.

Procedura e aplikimit është thjeshtuar, ndërsa VKM-ja parashikon edhe kalimin e pronësisë së truallit të ndërtesës falas deri në 300 metër katror si dhe mundësia për të blerë sipërfaqet mbi këtë masë.

“Kalimi i pronësisë së truallit, ku janë ndëqrtuar këto objekte bëhet falas deri në masën 300 metra katrore dhe i jepet mundësia qytetarëve për të blerë rripa apo copa toke pa funksion që i kanë brenda ndërtimeve të tyre”, tha Lame.

Vendimi i Këshillit të Ministrave pritet të trajtojë 40 deri 60 mijë objekte në të gjithë vendin. Për të garantuar mbarëvajtjen e procesit, pranë drejtorive rajonale të ALUIZNI-t, do të krijohet një sektor i posaçëm, që do të ngarkohet me zbatimin e vendimit të qeverisë./abcnews.al