Por pavarësisht këtyre deklaratave, Partia Demokratike ka vijuar denoncimin e projektit të teatrit, si një aferë korruptive dhe antikushtetuese me qëllim përfitimin e miliona eurove nga vetë kryeministri dhe kompania private “Fusha sh.p.k”.
Pasi thirri në komisionin që drejton kreun e Hipotekës Valdrin Pjetri për informacion mbi pronën e Teatrit dhe nuk mori përgjigje përmes dokumentave zyrtare, Albana Vokshi betejën e vijoi nga selia blu.
“Pavarësisht se Edi Rama e ndaloi kryeregjistruesin e pronave të informonte parlamentin për pronën e kompanisë “Fusha sh.p.k”, Partia Demokratike ka zbuluar mashtrimin e Edi Ramës, Erion Veliajt dhe kompanisë “Fusha”!
“Fusha sh.p.k”, të cilin Edi Rama po e përdor si kompani guackë për pastrimin e parave të drogës dhe korrupsionit, nuk është pronar kufitar me pronën e teatrit, siç thotë qeveria në ligj”.
Kështu bie edhe argumenti kryesor i shpjeguar në ligjin e miratuar me 75 vota mazhorance më 5 korrik, thekson Vokshi duke akuzuar kryeministrin për mashtrim të opinionit publik dhe atij ndërkombëtar. Të vërtetën e tyre demokratët e ilustrojnë me hartë.
“Kompania “Fusha” ka në pronësi të saj vetëm 298 metra katrorë jo kufitarë me Teatrin, siç duket qartë në hartë. Ose thënë ndryshe më pak se 3 përqind të të gjithë sipërfaqes që Rama kërkon t’ia falë me ligj. Edi Rama dhe kukullat e tij, Veliaj e Kumbaro kanë gënjyer qëllimisht Kuvendin”!
Një arsye me shumë kjo për demokratët që presidenti i republikës të mos e dekretojë ligjin për teatrin kombëtar. Për këtë përsërit apelin ndaj kreut të shtetit.
“Apelojmë edhe sot Presidentin e Republikës që të ndalë këtë akt korruptiv dhe të rrëzojë ligjin antikushtetues”.
Ky do të ishte fakt i mjaftueshëm për të vënë në lëvizje edhe prokurorinë, thekson Vokshi, nëse organi i akuzës do të ishte i pavarur dhe i pakontrolluar politikisht, përfundoi ajo./abcnews.al