Është arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një shtetase ruse, e cila akuzohet për spiunazh, por autoritetet federale konfirmojnë se ajo nuk ka lidhje me hetimet për Russiagate.
Autoritetet federale amerikane arrestuan një grua ruse të akuzuar për spiunazh. Maria Butina, 29 vjeç, punonte për një përfaqësues rus të lidhur me Kremlinin me objektivin për t’u infiltruar në organizata politike. Por rasti nuk ka të bëjë me hetimet për Russiagate. Butina kishte lidhje me shoqatën kombëtare të armëve, lobin e fuqishëm amerikan.
Sipas hetuesve, Maria Butina po krijonte marrëdhënie me amerikanë dhe po infiltrohej në organizata që kanë influencë në politikën amerikane, në interes të Rusisë.
Butina u arrestua në Uashington, doli dhe para gjykatësit, por nuk preferoi të shprehej. Një seancë gjyqësore është vendosur për të mërkurën. Mediat amerikane shtojnë se përfaqësuesi rus për të cilin punonte 29-vjecarja është i një niveli të lartë dhe në të kaluarën ka qenë deputet në parlamentin rus duke u bërë më pas përfaqësues i bankës qendrore të Rusisë.
Mediat amerikane ndër të tjera shkruajnë se në fillim të këtij viti, demokratët kishin marë në dorëzim disa dokumente, të cilat i referoheshin mundësisë që Rusia të kishte përdorur lobin amerikan të armëve për të financuar në mënyrë sekrete fushatën elektorale për zgjedhjen e Donald Trump. Dhe emri i Maria Butina kishte dalë dhe në këtë rast së bashku me Aleksander Torshin, zëvendësguvernatorin e bankës qendrore ruse.
Butina punonte si asistente e Torshin, ndërsa ky i fundit sipas The Guardian është takuar me Trump Junior në konventën e shoqatës së armëve në 2016-n./abcnews.al