Gjykata merr pushimet në Gusht, ndërpritet procesi i hedhjes së dosjeve në short

schedule16:33 - 15 Korrik, 2018

schedule 16:33 - 15 Korrik, 2018

Për shkak të lejeve vjetore të gjyqtarëve gjatë muajit gusht, gjykatat do të ndërpresin procesin e hedhjes së dosjeve në short. ABC News zbardh urdhrin e kryetares së Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro, që përcakton datat përfundimtare të shortit si dhe çështjet që do gjykohen gjatë gushtit. 

Ndonëse në ethe Vettingu, muaji Gusht është muaj pushimi për gjyqtarët. Gjatë këtij muaji, togat e zeza bëjnë lejen e zakonshme vjetore duke u shkëputur nga sallat e gjyqit. Veprimtaria e gjykatave në këtë periudhë minimizohet, pas proceset e gjykimit të çështjeve në themel shtyhen nga për në Shtator.

Për këtë shkak, gjykatat në shkallë vendi ndërpresin edhe procesin e hedhjes në short të çështjee të reja të depozituara në gjykatë. Në Shkallën e Parë të kryeqytetit shortet e fundit do të jenë në 23 dhe 27 Korrik.

ABC News ka siguruar një kopje të urdhrit të kryetares së Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro mbi ndërprerjen e shortit për muajin Gusht. Sipas udhrit të firmosur nga Hajro, për shkak të lejes vjetore, shorti i çështjeve civile dhe penale do të ndërpritet për periudhën 23 Korrik 2018 deri në 30 Gusht 2018.

Për kërkesat e sigurimit të padisë, përjashtim gjyqtari, shtrim i detyruar në spital psikiatrik dhe për shuarjen e masave të sigurimit shorti do të hidhet deri në datën 26 Korrik.

Në të njëjtin urdhër, Hajro saktëson se gjatë periudhës së pushimeve 27 Korrik-30 Gusht, gjykimi i kërkesave penale të bëra gjatë hetimeve paraprake, masa sigurimi, revokim dhe zëvendësim i tyre si edhe kërkesat urgjente për të miturit do t’i kalojnë për gjykim gjyqtarit të gatshëm.

Gjyqtari që do të jetë i gatshëm gjatë pushimeve do të gjykojë edhe shuarjen e masave të sigurimit, si dhe kërkesat për sigurimin e padisë që do të depozitohen në gjykatë gjatë muajit Gusht.

Tjetër lloj gjykimi që nuk ndërpritet gjatë muajit gusht janë edhe kërkesat për udhër të menjëhershmë të mbrojtjes. Sipas urdhrit edhe këto çështje do të shqyrtohen nga gjyqtari i gatshëm i seksionit familjar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!