Të gjithë e njohim Pajtim Strugën, këngëtarin e muzikës popullorë dhe veçanërisht “himnit” të njohur të klubit të Tiranës. Këngëtari i njohur është tifoz i kampionëve në fuqi dhe e ndjek vazhdimisht klubin bardheblu në stadium.
Por kjo s’do të thotë të ketë kontakte edhe me armiq të bardhebluve në fushë. Një prej tyre është Xhevahir Sukaj. Shkodrani ka luajtur dy sezone me Partizanin dhe aq ka mjaftuar që tifozët e Tiranës dhe ai të krijojnë një marrëdhënie aspak të ngrohtë.
Golat e tij kanë ngjallur dhimbje në popullin bardheblu, ndryshe nga kënga plot ritëm e ëmbëlsi e Pajtim Strugës, që këndohet, dëgjohet e kërcehet kudo ka tifozë të kampionëve. Dyshja e njohur së fundmi janë takuar me njëri-tjetrin dhe Sukaj ka vendosur të publikojë një foto në Instagram.
“Ne të dy i kemi këndu Tiranës. Pajtim Struga në skenë, Sukaj në fushë”, shkruan shkodrani përbri fotos me Pajtim Strugën. Aktualisht 33-vjeçari është pa klub, pas përfundimit të kontratës me Flamurtarin, ku sezonin e shkuar ishte pjesë e skuadrës, por nuk luajti për shkak dëmtimi. /abcnews.al