Barcelona-Juventus është sfida më e fortë e sfidave të Champions League të martën në mbrëmje. Katalanasit mjaftojnë të mos humbasin 0-3 për të ruajtur vendin e parë në grup.
Philippe Coutinho nuk mjaftohet me kaq dhe kërkon fitoren, që do të ishte e gjashtë radhazi në fazën e grupeve. Në prononcimin e dhënë para takimit, 28-vjeçari karikon shokët e skuadrës në lidhje me duelin ndaj kampionëve të Italisë.
“Dueli ndaj Juventusit është nga ato takime që i luajmë me kënaqësi. Duam ta mbyllim grupin në vend të parë dhe ka shumë rëndësi të kthehemi te fitorja pas humbjes së shpifur që pësuam në kampionat.
Mezi po presim të rikthehemi në fushë dhe të shfaqim forcën tonë të vërtetë. Humbja me Cadiz na ka lënë një shije të hidhur, por jemi gati të ndryshojmë gjërat për mirë.
E di që performanca ime nuk ka qenë aty ku duhet dhe kur luan për një ekip se Barcelona do të jesh gjithmonë në qendër të kritikave. Mund të them se kam punuar shumë si fizikisht ashtu dhe mendërisht, dhe e konsideroj veten shumë më të fortë në këto drejtime.
E përsëris edhe njëherë, duam të ndryshojmë situatën e krijuar. Kjo Barcelonë është në fazë rindërtimi. Ka ardhur trajneri i ri, lojtarët kryesorë janë akoma pjesë e jona, na duhet vetëm pak kohë dhe durim, asgjë tjetër“, deklaron lojtari brazilian i ekipit katalanas. /abcnews.al