Ndërhyrja në zgjedhjet presidenciale/ SHBA padisin 12 oficerë të inteligjencës ruse

schedule20:36 - 13 Korrik, 2018

schedule 20:36 - 13 Korrik, 2018

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka paditur 12 oficerë të inteligjencës ruse për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Zëvendës prokurori i përgjithshëm, Rod Rosenstein ka deklaruar se oficerët akuzohen për sulme kibernetike në dëm të Komitetit Kombëtar Demokrat të Shteteve të Bashkuara. Sipas padisë së ngritur, agjentët e nisën aktivitetin e tyre në mars të vitit 2016, duke depërtuar në adresat e email-eve të punonjësve dhe vullnetarëve të fushatës së kandidates demokrate Hillary Clinton. Në komunikimin me mediat, Rosenstein ka deklaruar se të pandehurit kishin patur kontakte me shtetas amerikanë gjatë aktivitetetit të tyre, por ka shtuar se nuk ka të dhëna që amerikanët të kenë kryer aktivitete kriminale. Numri dy i Departamentit të Drejtësisë ka shtuar se oficerët punonin për llogari të shërbimit sekret rus GRU. “Ata depërtuan në sistemet kompjuterike, i mbajtën ato nën monitorim dhe vendosën aty qindra dokumente me viruse”, ka thënë më tej Rosenstein. Ai ka saktësuar se të pandehurit krijuan identietete fiktive dhe i përdorën ato për të shpërndarë mijëra mesazhe elektronike e dokumente të vjedhura. Zyrtari i lartë ka shtuar se më herët gjatë javës ka informuar presidentin Trump mbi paditë. Deri më tani, në kuadër të hetimeve mbi skandalin e njohur si “Russiagate” janë paditur 20 individë dhe 3 kompani ruse.