Rusia ka se ftesa për anëtarësim që NATO i bëri Maqedonisë. Në një reagim zyrtar, Moska ka akuzuar Aleancën se politikën e “dyerve të hapura” po e përdor si vegël për të pushtuar territore gjeo-politike.
Ministria e Jashtme ruse ka akuzuar të enjten NATO-n se po tërheq me forcë Maqedoninë në radhët e saj, një ditë pasi vendet anëtare i bënë ftesën e anëtarësimit. Në reagimin e saj, Moska ka deklaruar se një lëvizje e tillë thellon ndarjet dhe rrit tensionet në Europë. “Tërheqja me forcë e Maqedonisë në NATO vetëm sa konfirmon se politika e dyerve të hapura është kthyer në një vegël për të përfituar territor gjeo-politik”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse. Të mërkurën, në përfundim të ditës së parë të punimeve të samitit të NATO-s në Bruksel, sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg konfirmoi qëndrimin e unifikuar të aleatëve për pranimin e Maqedonisë. Stoltenberg tha se pas arritjes së marrëveshjes mes Athinës dhe Shkupit për të zgjidhur çështjen e emrit kushtetues të ish-republikës jugosllave, Maqedonia është gati të nisë negociatat e anëtarësimit. Përfshirja e saj në aleancën ushtarake perëndimore sjell zgjerimin e saj në Ballkan dhe njëkohësisht përbën një sfidë ndaj përpjekjeve të Rusisë për të rritur influencën në rajon. /abcnews.al