Opozita ka kallëzuar Prokurorinë për Krimet e Rënda kryeministrin e vendit, Edi Rama. Sipas krerëve të grupit parlamentar të PD dhe LSI, Rama po pengon të vërtetën në lidhje me audiopëgjimin e vëllait të Fatmir Xhafajt.
Krerët e grupeve parlamentar të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim depozituan një kallëzim penal kundër kryeministrit Edi Rama në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Sipas Edmond Spahos dhe Petrit Vasilit, kryeministri po pengon hetimin në lidhje me një audio-përgjim të pretenduar të vëllait të ministrit të brendshëm.
“Ne i drejtuam prokurorisë me një kallëzim Penal ndaj kryeministrit Edi Rama, për pengim të të vërtetës, për fshehje të të vërtetës duke mos dorëzuar në prokurori ekspertimin që ai i ka bërë në një periudhë aq të shkurtër kohe në një nga laboratorët më të mirë të botës”, tha Spaho.
Krimet e Rënda regjistruan një procedim penal pas publikimit në 14 maj nga Partia Demokratike të një audio-përgjimi ku pretendohej se Albert Veliu bisedonte me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit Fatmir Xhafaj, në lidhje me trafikimin e një sasie droge./abcnews.al