Rrezikoi të mbytej, e reja shpëtohet nga roja bregdetare

schedule21:14 - 9 Korrik, 2018

schedule 21:14 - 9 Korrik, 2018

Një vajzë rrezikoi të mbytej në Vlorë, teksa po lahej në det. Por ndërhyja në kohë e rojes bregdetare i shpëtoi jetën. Për këtë ngjarje reagoi edhe kryetari i bashkisë, Dritan Leli, i cili tha se po bëhen kontrolle të rrepta në të gjitha subjektet, për pajisjen e tyre me vrojtues plazhi.

 

Ky vrojtues plazhi pati një ditë të vështirë, por ia doli me sukses. Një 20-vjeçare që po lahej në plazhin e ri të Vlorës shfaqi shqetësime shëndetësore dhe rrezikoi të mbytej. Ndërhyrje e shpejtë e rojes bregdetare i shpëtoi jetën pushueses. Ariel Lamaj është i kënaqur që arriti në kohë t’i jepte ndihmën plazhistes.

“Nuk reagonte siç reagon një pushues që është në gjendje të mirë dhe e kuptuam menjëherë që kishte diçka që nuk shkonte dhe jemi nisur menjëherë dhe i kemi dhënë ndihmën e parë në kohë rekord”.

Në Vlorë numërohen rreth 60 vrojtues plazhesh, por ky numër është i pamjaftueshëm për të siguruar jetën e pushuesve.  Në të gjithë territorin e Vlorës kryhen kontrolle të vazhdueshme nga bashkia.

Kryebashkiaku Dritan Leli thotë se në pjesën më të madhe të tyre, subjektet janë pajisur me roje. Kur kanë munguar, bashkia ka bllokuar aktivitetin. Pas rastit të parë të rrezikshëm të kësaj të hëne, Leli kërkoi edhe ndërgjegjësim qytetar për përdoruesit e detit./abcnews.al