Merkel pret kryeministrin kinez

schedule20:47 - 9 Korrik, 2018

schedule 20:47 - 9 Korrik, 2018

Ndonëse ka refuzuar t’i kundërvihet amerikës, Gjermania ka varur shpresat tek partneriteti me Kinën për të shmangur luftëra të reja tregtare. Dy vendet pritet të mbajnë së shpejti një samit, ku do të konkretizojnë hapat e nevojshëm në këtë drejtim.

Kancelarja gjermane Angela Merkek ka deklaruar të hënën se shpreson që në samitin e ardhshëm mes Bashkimit Europian dhe Kinës të merren hapa konkretë për shmangien e luftrave të tjera tregtare.

“Shpresoj që ky samit të sjellë më shumë progres në mbrojtjen e investimeve të përbashkëta”, ka thënë Merkel në një konferencë për shtyp me kryeministrin kinez Li Keqiang.

Kancelarja ka shprehur shpresën e saj që Gjermania dhe Kina të kontribuojnë bashkarisht në mënyrë që bota të mos përfshihet nga një spirale konfliktesh tregtare. Samiti BE-Kinë pritet të zhvillohet në datat 16 dhe 17 Korrik në Pekin.

Më herët gjatë muajit, zyrtarë europianë deklaruan se Kina po ushtron presion ndaj Unionit për të zgjedhur një linjë të përbashkët kundër praktikave tregtare të presidentit amerikan Donald Trump.

Zyrtarët thanë se në disa takime të zhvilluara në Bruksel, përfaqësues të lartë të qeverisë kineze u kishin propozuar homologëve gjermanë formimin e një aleance kundër Shteteve të Bashkuara dhe për të joshur sa më shumë kontinentin e vjetër kishin ofruar hapjen e mëtejshme të tregut kinez.

“Pekini dëshiron që BE të rreshtohet përkrah Kinës kundër Amerikës. Por ne nuk do ta bëjmë këtë dhe ua kemi thënë”, tha për “Reuters” një zyrtar europian.

Rrjedhimisht, samiti ka gjasa të rezultojë një formalitet i thjeshtë, me palët që do të angazhohen për një sistem tregtie të shumanshëm, si dhe për ngritjen e një grupi pune për reformimin e Organizatës Botërore të Tregtisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!