Siç ka nevojë për Pazarin e Ri, për Bulevardin e ri, për sheshin “Skënderbej”, vendi sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka nevojë edhe për një teatër të ri. Veliaj deklaratën e bëri në cermoninë e organizuar për të festuar marrjen e çmimit si projekti rinovues më i mirë i vitit në Europë për Pazarin e Ri.
Teatri i ri Kombëtar ashtu si çdo projekt tjetër që ka hasur rezistencë fillimisht, do të jetë një sukses që do të vlerësohet më pas. Deklarata është e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, sipas të cilit vendi ka nevojë për një Teatër të ri Kombëtar.
“E kemi mësuar tashmë, gjërat e reja kanë rezistencë. Në këto dy muajt e fundit jemi përfshirë nga debati për teatrin edhe sigurisht, po ta kishim bërë në Suedi, në Norvegji a në Danimarkë, do ishte shumë e thjeshtë. Por duam që kjo gjë e bukur të bëhet në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse është shumë mirë të kemi debate, protesta, diskutime, sepse në fund dhe produkti do të dalë më i bukur dhe më cilësor. Nëse kemi nevojë për Pazar të Ri, për Bulevard të Ri, për shesh të ri, sigurisht që kemi nevojë edhe për një teatër të ri. Po t’i bëjmë gjërat me dashuri, jo duke penguar njëri-tjetrin, jo duke sharë, jo duke përgojuar, por duke i dhënë fuqi transformimit të Tiranës, atëherë ky është vetëm fillimi dhe më e mira është përpara”.
Treguesi më i mirë për këtë, sipas Veliajt, është Pazari i Ri, i cili një vit e gjysmë pas përurimit, në Londër mori çmimin si “Projekti rinovues më mirë i vitit në Europë. Me këtë rast u organizua edhe njëcermoni festive.
“Jo vetëm në Shqipëri, por kudo, kur bëhen gjëra të reja gjithmonë ka rezistencë, hezitim, dyshime, ka njerëz që janë skeptikë, cinikë, që thonë: Se ky vend nuk bëhet me këta njerëz. Pyetja është: Nëse nuk bëhet ky vend, cili vend u bëka? Nëse nuk e bëjmë ne këtë vend, s’ka kush e bën tjetër. Ndaj, dua që t’u japim një duartrokitje atyre që e kanë bërë këtë vend: që nga tregtarët, banorët që kujdesen, pastruesit, policët, artistët dhe artizanët që na janë bashkuar sot”.
Bashkëdrejtuesi i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Martin Mata, i cili bashkëpunoi me Bashkinë e Tiranës për rinovimin e Pazarit te Ri siguroi se një tjetër investim i suksesshëm do të jetë edhe transformimi i Piramidës.
“Pazari i Ri është shembulli më tipik se çfarë ka ndodhur dhe e harrojmë se si ka qenë ky shesh. Duke filluar nga ideja, duke filluar nga arkitektët që kanë bërë punën e tyre më frymëzuese dhe më fantastike deri më sot, duke vazhduar me kompaninë e ndërtimit, me supervizorët, me stafin tonë, me bashkinë dhe mbi të gjitha me njerëzit, të cilët e kanë kthyer këtë në sheshin e tyre. Kjo është arsyeja pse ky Pazar mori çmimin e parë, kjo është arsyeja pse do të vazhdojmë me Piramidën, si projekt i radhës. Edhe Piramida ka hyrë në rrugë të mbarë, jam i sigurt se do të konkurrojë denjësisht për të patur të njëjtin rezultat, të jetë po aq atraktive për njerëzit si është Pazari i Ri”.
Kryetari i Bashkise së Tiranës shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kanë kontribuar në projektin e transformimin të Pazarit të Ri, ku ndërthuret mjaft mirë tradicionalja me modernen./abcnews.al