Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka vizituar ditën e sotme ambientet në spitalin COVID4, i përgatitur, për të përballuar situatën e pandemisë.
“Lufta nuk bëhet dot vetëm në spitale, ndaj të bashkohemi për ta fituar atë duke e mbrojtur shëndetin e njëri-tjetrit në jetën tonë të përditshme”, shprehet Manastirliu.
Manastirliu i bëri apel qytetarëve që të respektojnë masat anticovid, pasi situata është ende serioze.
Gjithashtu ministrja e Shëndetësisë shtoi se tashmë autoritetet janë duke bërë përgatitjet edhe për spitalet rajonale.
“Ne jemi gati dhe në momentin që ezaurohet Covid 3, strukturat janë gati. Kapacitet që tashmë i kemi ngritur, por që ende duhen formuar janë gati. Spitali Covid3 është tërësisht i hapur, por edhe Covid4 do të vendoset në dispozicion të shpejtë në shërbim të pacientëve.
Është një strukturë e re për të cilat kemi mundësuar edhe trajnimet e personelit mjekësor. Kjo nuk është periudhë e lehtë, pasi vetë kjo periudhë po shoqërohet me rritje të rasteve dhe vendosja në dispozicion i kapaciteteve është e domosdoshme.
Ne bëhemi gati edhe për spitalet rajonale. Kjo nuk është lufta e spitaleve, spitalet janë pasoja e një shkaktari që është virusi , kjo është një betejë që luftohet nëse ne jemi të gjithë së bashku.
Nuk jemi në normalitetin e vjetër, ne duhet të lejojmë mjekët dhe infermierët të bëjnë punën e tyre. Qytetarët duhet të kufizojnë kontaktet jo të domosdoshme, sepse nëpërmjet zbatimit të rregullave në mund të kufizojmë përhapjen e virusit. Le ta bëjmë këtë sakrificë të gjithë së bashku. Për sa kohë nuk kemi vaksinën , duhet të përpiqemi të gjithë, të parandalojmë përhapjen e COVID-19”, tha Manastirliu.
/abcnews.al/