Batha: Humbjen s’e mendoj, por nuk është fundi i botës! Eliminimi nga Kupa dhemb

schedule13:39 - 20 Nëntor, 2020

schedule 13:39 - 20 Nëntor, 2020

“Është momenti i duhur për të pasur një ndeshje të fortë. Sa herë që ekipet ndërrojnë trajnerin kanë një marsh më shumë, është një rast i mirë për të treguar dhe provuar veten”, e nis konferencën për shtyp Idriz Batha, kapiteni i Tiranës që nuk i shmanget as eliminimit nga Kupa e Shqipërisë.

“Personalisht më ka ndodhur dhe një herë tjetër të eliminohem nga një ekip i Kategorisë së Parë. Nuk është as hera e parë, as e fundit që ndodh në futboll. Kemi eksperiencën e duhur për ta kaluar atë që në ndodhi me Korabin. Sigurisht është diçka që dhemb, por ajo kaloi dhe duhet ta lëmë pas”, shton mesfushori.

Më tej ai shton: “Atmosfera ka qenë pozitive. Trajneri  e njeh mirë ambientin e Tiranës. Ka ndikuar pozitivisht ardhja e tij. Kemi shumë dëmtime, por një ekip i fortë duket kur i ndërron lojtarët e formacionit. Kjo është një provë më vete. Lojtarët e rinj kanë mundësinë të tregojnë veten dhe t’i japin sinjale trajnerit”.

A e mendoni humbjen me Vllazninë, ishte pyetja ngacmuese për Bathën. “Është fillimi i kampionatit. Nuk është fundi i botës një humbje. Nuk e kemi menduar, e mendoj për herë të parë tani që po më pyesni. Do shkojmë atje për një qëllim, për të luajtur mirë dhe për të marrë maksimumin”, u përgjigj kapiteni i Tiranës. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!