Lopez Obrador ka fituar zgjedhjet presidenciale në Meksikë. Politikani me bindje të majta, ka në qendër të programit të tij kundërshtimin e vendimeve të presidentit amerikan Trump, i cili nuk heq dorë nga ndërtimi i murit në vijën kufitare.
Andres Manuel Lopez Obrador është president i ri i Meksikës. Rezultatin e ka pranuar në pak minuta pas mbylljes së votimit, kandidati i partisë së qeverisë, Jose Antonio Meade: “Kemi humbur, më mirë ta njohim menjëherë këtë realiteti”, u shpreh ai. Eksit pollet njoftonin fitoren e liderit të së majtës meksikane me një distancë prej 20% ndaj rivalit të dytë, Ricardo Anaya, i cili drejtonte një koalicion mes të majtës dhe të djathtës.
“Për të mirën e Meksikës, i uroj shumë sukses”, tha Meade nga Partia Revolucionare Institucionale në pushtet. Gjatë së dielës dhjetra milionë meksikanë iu drejtuan kutive të votimit në zgjedhje shumë të përgjakshme që u shënuan nga vrasje, dhunë dhe manipulime. “Kjo do të jetë kandidatura e fundit e imja”, njoftoi Obrador përpara zgjedhjeve. Bëhet fjalë për një kthesë në politikë për vendin, me mbi gjysmën e votuesve, të cilët të frikësuar nga kriminaliteti dhe korrupsioni i besojnë partisë Morena, një lëvizje e themeluar nga lideri 64 vjeçar pas humbjes në presidencialet e 2006-ës.
Populist dhe besnik i principeve të së majtës amerikanolatine, Lopez Obrador ka në qendër të programit të tij të qeverisjes një shpërndarje më të mirë të të ardhurave, reduktimin e pabarzisë sociale dhe ekonomike, dhe veçanërisht kundërshtimin e politikave të presidentit amerikan Donald Trump. Obrador kundërshton vendosjen e tarifave tregtare dhe ndërtimin e murit në kufirin e Shteteve të Bashkuara. Pikërisht presidenti amerikan Donald Trump ishte ndër të parët që ka uruar kreun e ri të Shtetit të Meksikës duke thënë se pret me padurim të punojë me të. /abcnews.al