Filipçe: Në RMV është ulur transmetueshmëria e virusit, presioni mbi spitalet mbetet i lartë

schedule09:21 - 18 Nëntor, 2020

schedule 09:21 - 18 Nëntor, 2020

Analiza e Ministrisë së Shëndetësisë tregon se transmetueshmëria e koronavirusit në Maqedoninë e Veriut po zvogëlohet.

Faktori i transmetimit “R” është zvogëluar nga 1.5 në afër 1. Ministri Venko Filipçe tha se kjo do të thotë që një person ka infektuar 1.5 persona gjatë kontaktit direkt, dhe tani analiza tregon se infekton më pak se 1.

Po ashtu, Filipçe tha se masat japin rezultate, por paralajmëroi se virusi është i paparashikueshëm dhe në momente të ndryshme mund ta përkeqësojë gjendjen klinike të pacientëve.

Filipçe tha se për momentin nuk ka nevojë për vendosje të orës policore, ndërsa e theksoi rëndësinë e respektimit të masave për shkak të presionit serioz në sistemin shëndetësor.

Ai deklaroi se për dallim nga pranvera dhe vera, në këtë periudhë virusi ka transmetim të fuqishëm lokal.

“Transmetimi i virusit ka rënë, por presioni mbi spitalet është akoma i lartë. Sipas informacionit të djeshëm, gjithsej 1,225 pacientë u shtruan në spital në repartet infektive në Shkup dhe në spitalet në të gjithë vendin. Në qendrat COVID në spitalet në të gjithë vendin, raportohet se po trajtohen 640 pacientë pozitivë dhe të dyshuar për coronavirus”, tha dje Filipçe. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!