ABC News zbardh ekspertizën për vdekjen e Shkëlzen Qordjas

schedule15:37 - 1 Korrik, 2018

schedule 15:37 - 1 Korrik, 2018

Prokuroria e Tiranës dhe Policia dërguan për ekpertizë automatikun “MP5”, me të cilën u vetëvra gardisi Shkëlzen Qordja. Hetuesit kërkojnë të marrin përgjigje nëse në këtë armë ka gjurmë të tjera gishtash, për të hequr çdo dyshim nëse kemi të bëjmë me vetëvrasje ose jo.

Pas vetëvrasjes së cilësuar nga ministria e Brendshme të Shkëlzen Qordjas në garazhin e Gardës së Republikës, ekspertiza mjeko-ligjore konfirmon për ABC News, se 31-vjeçari kishte marrë vetëm një plumb kokë në pjesën e lobit temporal.

Ndërkohë, pranë trupit të viktimës Qordja, me detyrë shofer i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip “MP5”.  Gëzhojat u dërguan pranë laboratorit të policisë shkencore, për të parë nëse kanë apo jo gjurmë gishtërinjsh të vetë viktimës apo të ndonjë personi tjetër. Një tjetër provë e rëndësishme që iu bë viktimës ishte edhe gjetja e faktorëve plotësues të qitjes. Kështu ekspertët e kriminalistikës, kërkuan për mbetje baruti në rrobat e Qordjas, e po kështu edhe në lëkurë. Sipas të dhënave zyrtare arma automatike u gjet në dorën e djathtë të viktimës me pozicionin “qitje me breshëri”.  Grupi hetimor ka konstatuar se viktima ishte i ulur në sediljen e shoferit mjetit tip “Hyndai Santa Fe” të parkuar në garazh dhe i mbyllur nga brenda. Me gjithë dyshimet e vetëvrasjes, grupi hetimor po punon paralelisht edhe në disa pista të tjera.

Garda e Republikës dhe familja e 31-vjeçarit nuk janë në gjendje të japin një arsyje që çoi në vetëvrasjen e shoferit të Ministrit të Brendshëm.

Shkëlzen Qordja kishte nisur punë në Gardën e Republikës në mars të vitit të kaluar, ndërsa punonte prej më shumë se 6 vitesh si shofer personal i Fatmir Xhafaj.  /abcnews.al