Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një bashkëbisedim me gazetarët theksoi se vendi në këtë situatë pandemie kërkon ndërhyrje të shpejtë nga klasa politike.
Kryemadhi deklaroi se sot qytetarët janë më të vendosur për të ndryshuar situatën politike me 25 prill, ndërsa shtoi se asnjë taktikë elektorale nuk shpëton sipas saj “Rilindjen” apo kryeministrin Edi Rama.
“Sot qytetarët shqiptarë nuk janë të fokusuar tek emrat e opozitës. Kanë një problem më të madh me mungesën e ekonomisë. Ndjehen të pambrojtur, përballen më depresionin ekonomik, po ashtu edhe depresioni social i përditshëm.
Sot qytetarët duan ta bëjnë Shqipërinë shtëpinë e tyre. Thirrja e opozitës për t’i çuar qytetarët drejt kutive të votimit që klasë politike të mos i shkojë ndërmend të bëjë ç’të dojë me shqiptarët. Ne kemi vetëm një pikë të përbashkët që është rrëzimi i sektit të “Rilindjes”, tha Kryemadhi.
Gjithashtu Kryemadhi thekson se LSI do të aplikojë votimin online nëpërmjet ‘’Join LSI’’, një aplikacion i lehtë për t’u përdorur në telefona dhe i aksesueshëm dhe nga mediat.
“Ajo që dua të theksoj është se shumë socialistë po i bashkohen LSI, kjo është natyrale. Këtu nuk ka çështje ideologjike, por mbijetese përballë kësaj situate kaosi dhe varfëria.
Por po shikojmë politikat e Rilindjes janë politikat me ekstremisht të djathta. Sot politikat e koncesionit të Rilindjes janë ekstrem të djathta dhe nuk i përfaqësojnë aspiratat e socialistëve. Socialistët ndihen të lirë dhe në vetvete në LSI.
LSI, duke qenë parti e të rinjve dhe të rejave, është parti e majtë. Përveç kësaj, vetë hartimi i politikave të LSI kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe në impaktin e drejtpërdrejtë në buxhetin e qytetarëve”, tha më tej Kryemadhi./ abcnews.al/