Viktima quhet Shkëlzen Qordja, 31 vjeç dhe ishte shoferi i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Trupi i pajetë i Qordjes u gjet nga kolegët e tij në një automjet në garazhin e mjeteve të Ministrisë së Brendshme në ndenjësen e shoferit me një armë pranë tij.
Pas sinjalizimit për ngjarjen në ambientet e Gardës mbërriti grupi hetimor i drejtuar nga Prokurori Rrethit Tiranë i përbërë nga Oficerë të Policisë Gjyqësore, ekspertë mjeko-ligjoire, ekspertë të kriminalisitikës dhe hetues të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.
Disa orë më vonë, Prokuroria, Policia dhe SHÇBA dolën me një deklaratë të përbashkët zyrtare. Bazuar veprimeve hetimore paraprake, zyrtarët e tre institucione ngritën dyshimin se 31-vjeçari Qordja është vetëvrarë me armën e shërbimit.
Grupi hetimor ka konstatuar se viktima ishte i ulur në sediljen e shoferit të një mjeti të parkuar në garazhin për mjetet i ministrisë, i cili u gjet i mbyllur nga brenda. 31-vjeçari ka pasur një plagë tejshpuese në kokë, me drejtim qitjeje nga e djathta në të majtën.
Në vendngjarje janë gjetur 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip “MP5”, armë në përdorim nga Garda e Republikës. Arma automatike është gjetur në dorën e djathtë të viktimës me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit në pozicionin “qitje me breshëri”.
Me gjithë dyshimet e vetëvrasjes, grupi hetimor po punon për të qartësuar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.
Trupi i pajetë i shoferit të ministrit Xhafaj, u nxor përmes kësaj autoambulance. Për t’i shpëtuar objektivëve të kamerave, ajo doli përmes kësaj daljeje të pasme të objektit pranë digës së liqenit Artificial.
Shkëlzen Qordja kishte nisur punë në Gardën e Republikës në Mars të vitit të kaluar. Gjatë detyrës, ai nuk ishte proceduar, pezulluar apo marrë ndonjë masë disiplinore./abcnews.al