Teatri/ Bashkia e Tiranës njofton arritjen e marrëveshjes me artistët

schedule11:45 - 27 Qershor, 2018

schedule 11:45 - 27 Qershor, 2018

Teatri Kombëtar do të shembet dhe aty ku ai ndodhet do të ndërtohet Teatri i ri Kombëtar. Bashkia e Tiranës thotë se është arritur marrëveshja me komunitetin e artistëve, ndërkohë që garancitë që ata kërkojnë do të përcaktohen në  ligj.

Bashkia e Tiranës deklaron arritjen e një marrëveshje me artistët për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar. Gjatë negociatave mes kryebashkiakut Erion Veliaj me grupin e interesit, përfaqësuar nga regjisori Altin Basha de aktorët Alfred Trebicka dhe Arben Derhemi është rënë dakord për ndërtimin e një godine moderne për Teatrin në tokën ku ndodhet, pa ndërtesë sipër dhe pa fonde publike.

“Dua të falenderoj sot publikisht të gjithë komunitetin e artistëve, sindikatat, qytetarët, protestuesit, arkitektët, urbanistët, zjarrfikësit, të gjithë ata që kanë dhënë një dorë, disa në mënyrë më intensive, disa sporadike, por të gjithë që kanë dhënë një dorë që të gjejmë gjuhën e përbashkët për t’i dhënë Tiranës një teatër të ri, modern, në tokën ku është teatri sot. Kjo nuk ka qenë një negociatë e lehtë. Në fillim fare filluam nga ekstreme, nga qëndrime shumë të ndryshme, por me sa duket ku ka vullnet, ku ka dëshirë, ka një rrugëzgjidhje.”

Në emër të komunitetit të artistëve, regjisori Altin Basha theksoi se bisedimet do të vijojnë për të finalizuar një marrëveshje të plotë.

 “Kemi rënë dakord për një fazë të parë. Mbeten akoma disa çështje për t’i diskutuar, kemi marrë garanci që ato do të sqarohen në proces e sipër. Shumë shpejt do të kemi një dëgjesë tjetër në formën e një debati për disa çështje të cilat akoma na kanë mbetur të papërfunduara. Mendojmë se në këtë proces kemi gjetur disa pika të cilat kanë qenë të rëndësishme për ne, për të qenë prezent në ligj. Po themi edhe një herë, është një fazë e parë, procesi sapo ka nisur dhe sigurisht që mbetemi ende në komunikim për detajet të mëtejshme”.

Pas këtij takimi Basha sqaroi për ABC News se është dakordësuar gjithashtu ruajtja e territorit të teatrit përfshirë hapësirën rreth godinës dhe hapja e një konkursi ndërkombëtar për Teatrin e ri.

Garancitë për të cilat kanë nevojë artistët kryetari i bashkisë së Tiranës u shpreh se do të përcaktohen me ligj. Ndërkohë që në grupin që do të negociojë për projektin e ndërtimit të Teatrit të ri do të ketë edhe një përfaqesi të artistëve.

“Projekti që kemi sot është më i mirë. Nuk është ndoshta projekti perfekt, por tashmë e kemi të sanksionuar në ligjin që do të negociojë teatrin e ri, se prona e teatrit nuk preket, që e negocion teatrin e ri si një ndërtesë monovolum, pa kulla sipër, dhe që e negocion këtë teatër të ri me çelësa në dorë, me para të privatit, që edhe kushdo shqetësohet pse po harxhojmë për artin kur s’kemi bukë për të ngrënë, që edhe kjo s’është e vërtetë, të mos e ketë këtë shqetësim sepse nuk do të taksohet njeri për këtë propozim. Kemi sanksionuar në këtë ligj, në dallim nga të gjitha institucionet e tjera që përfaqësohen vetëm me një anëtar, ne do të kemi dy anëtarë që përfaqësojnë komunitetin e artistëve dhe të aktorëve. “Sigurisht është shumë e rëndësishme të kujtojmë se ky është vetëm hapi i parë. Do të vazhdojë një negociatë dhe do të kemi edhe debate të tjera se si ky proces mund të bëhet akoma edhe më i mirë.”

Emrat që do të jenë pjesë e grupit negocioator për projektin pritet të përcaktohen shumë shpejt nga artistët, ndërkohë që sipas kryetarit të Bashkisë projektligji i paraqitur është fillimi i diskutimeve teknike për të përmirësuar draftin deri në finalizmin me ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!