Lleshaj takon homologun kosovar: Marrëveshje për bashkëpunim në fushën e sigurisë

schedule16:44 - 6 Nëntor, 2020

schedule 16:44 - 6 Nëntor, 2020

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë zyrtare në Prishtinë ku është takuar me homologun e tij Agim Veliu.

Lajmin e ka bërë të ditur Lleshaj me anë të një statusi në Facebook, ku shkruan se gjatë takimit është dakordësuar bashkëpunimi në fushën e sigurisë që është kusht i ndërtimit të marrëdhënieve në fushat e interesit të përbashkët.

Lleshaj shprehet se është rënë dakord të ngrihen grupe pune të përbashkëta me qëllim koordinimin më të mirë të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara.

“Sot në Prishtinë pata një takim zyrtar me Ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Agim Veliu dhe delegacionin që e shoqëronte. Dakordësuam se bashkëpunimi në fushën e sigurisë është i një rëndësie të veçantë, por edhe kusht i ndërtimit të marrëdhënieve në fushat e tjera të interesit të përbashkët.

Lufta kundër terrorizmit dhe parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, kundër migracionit ilegal, trafikimit të qenieve njerëzore, lufta kundër trafikimit të narkotikëve, krimit të organizuar, por edhe siguria publike në përgjithësi janë fushat ku punohet për të thelluar bashkëpunimin policor. Gjatë takimit u diskutuan çështje të forcimit të marrëdhënieve në fushën e rendit dhe sigurisë publike.

Gjithashtu folëm mbi zbatimin e protokollit për oficerët e kontaktit, si dhe ecurinë e zbatueshmërisë së Pikave të Kalimit Kufitar mes dy vendeve. Me homologun e Kosovës ramë dakord që të ngrihen grupe të përbashkëta pune me qëllim koordinimin më të mirë të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara dhe bashkëpunimit policor”, shkruan Lleshaj./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!