Kapet arsenali luftarak në Durrës, dy të arrestuar

schedule09:55 - 6 Nëntor, 2020

schedule 09:55 - 6 Nëntor, 2020

Policia e Durrësit ka sekuestruar një arsenal luftarak duke arrestuar gjithashtu edhe dy persona që dyshohet se i zotëronin.

Në kuadër të operacionit “Telekomanda” u sekuestruan 1 mitraloz, 1 kallashnikov, municion luftarak, 2 automjete, aparate celularë dhe një sasi lëndë narkotike.

Në vijim të punës për mbajtjen e situatës kriminale nën kontroll, parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, të armëve të zjarrit dhe lëndëve narkotike, specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bazë të informacioneve disamujore të ndjekura me metoda speciale të hetimit nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, kanë goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak“, bën me dije policia.

Mësohet se të arrestuarit janë një 47-vjeçar dhe një 60 vjeçar nga Kuçova.

Blutë bëjnë me dije se arrestimi i tyre u bë pas një pune disamujore me metoda speciale të hetimit, ku si rezultat u dokumentua aktiviteti i tyre kriminal i trafikimit të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak jashtë vendit, me qëllim përfitimin e vlerave monetare.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municioneve” dhe “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!