Këtë të martë në kryeministri hyri Bahri Shaqiri, ish drejtues i shërbimit informativ që sot është Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Meta.
Ai u pa të dilte nga godina qeveritare në orën 11 pa çerek, pak përpara se Edi Rama të niste bashkëbisedimin me gazetarët.
Vetë kryeministri, i pyetur nga ABC News mohoi ta kishte takuar këshilltarin e Metës personalisht.
“Unë tani sa erdha nga Peza ku isha në një vizitë për rindërtimin dhe tani jam këtu. Nuk është një vizitë që ka të bëjë me mua apo zyrën time, mund të ketë ardhur për punë të tjera. Puna institucionale vazhdon akoma midis kryeministrisë dhe presidencë”, shpreh Rama.
Të njëjtën pyetje ABC News i drejtoi edhe Presidencës, e cila deri në transmetimin e këtij materiali, ruajti sekretin dhe nuk e komentoi këtë vizitë enigmatike.
Hyrja në Kryeministri e Shaqirit vjen në kohën kur marrëdhëniet mes Ramës e Metës janë tejet të acaruara, por institucionalisht përkojnë me një moment kur Evropa po përballet me sulme terroriste.
Pas Francës, ngjarjet e fundit në Vjenë kanë bërë që edhe antiterrori shqiptar të rrisë vigjilencën, me agjentë specialë në pikat kufitare apo pranë ambasadave.
n.d./abcnews.al