Hoxha: Presioni nuk na çon në stres, titulli jo i pamundur për Partizanin

schedule10:28 - 3 Nëntor, 2020

schedule 10:28 - 3 Nëntor, 2020

Partizani e nis sezonin e ri të Kategorisë Superiore përballë Kastriotit në transfertë, takim që do të luhet nesër (e mërkurë), duke nisur nga ora 13:45. Përkrah trajnerit Daja në konferencën për shtypin, ishte edhe Alban Hoxha, portieri dhe kapiteni i Partizanit, i cili preku disa tema në fjalën e tij.

Grupi është ruajtur dhe është i ndërthurur, ka lojtarë me eksperiencë, lojtarë që kanë dalë kampionë dhe lojtarë të rinj. Ky është kombinimi ideal sipas mendimit tim. Grupi është i mirë, jemi stërvitur mirë, kemi bërë ndeshje miqësore të mira, shpresoj ta nisim me këmbë të mbarë nesër.

Objektivat te Partizani janë maksimale gjithmonë, edhe pse merkato u bllokua. Repartet nuk i kemi shumë të dubluara, sidomos mbrojtja. Objektivi jonë është t’i marrim ndeshjet një nga një. Duke parë ecurinë, do mendojmë ta synojmë titullin kampion. Pse jo, nuk është çudi e madhe.

Mentaliteti? Trajnerin e njihni mirë, ka mentalitet fituesi. Këtë pjesë ka dashur t’ia injektojë edhe lojtarëve. Jemi munduar që, sidomos lojtarët e rinj, të mos kenë presionin e titullit. Të bëjnë mirë për veten e vet, ne të vjetrit duhet t’i mbajmë afër dhe t’i drejtojmë gjatë ndeshjeve. Shpresojmë që të na shkojë sa më mirë.

Ne jemi munduar dhe kemi bërë çdo javë ndeshje miqësore, edhe pse nuk janë si ndeshjet e kampionatit. Gjithsesi, e kemi mbajtur ritmin. Miqësoret dhe ndeshja e Kupës na kanë shërbyer, Të gjithë ekipet do e kenë problemin e bojkotit.

Tifozët? U bë kohë e gjatë pa tifozë, por nuk është problem i madh mungesa e tyre. Nuk është se mbushen stadiumet këtu, e mira do ishte të ishin, por nuk ka një ndikim të madh.

Lojtari më i vjetër apo ai me më eksperiencë, apo unë që jam kapiten, nuk është se e çojmë në stres apo gjendje ekstreme gjendjen e presionit. Jemi mësuar me këtë pjesë, nuk është se na bën shumë përshtypje. Kur ke objektiva dhe kërkesa të mëdha normale që do të kesh presion”, thekson Hoxha. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!