Everton pësoi humbjen e dytë radhazi jashtë shtëpie në Premier League. Djemtë e Carlo Ancelottit humbën 2-1 me Newcastle, por vazhdojnë të renditen në vend të tretë në kampionat.
Trajneri italian foli pas takimit për Sky Sport, duke analizuar përballjen dhe ftuar lojtarët e ekipit nga Liverpuli që të përqendrohen te sfida e radhës ndaj “Djajve të Kuq”.
“Sot nuk luajtëm një ndeshje të mirë. E nisëm me ekuilibrin e duhur, por më pas erdhi penalltia në favor të Newcastle, moment që ndryshoi gjithçka.
Penalltia ishte e saktë, është e kotë ta mohoj. Duhet ta mbanim ndeshjen në ekuilibër, por më pas i bëmë një dhuratë kundërshtarëve dhe gjithçka përfundoi keq për ne.
E nisëm sezonin në mënyrë të shkëlqyer, ndërsa tani po vuajmë disi. Tani duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës me Manchester United“, thekson Carlo Ancelotti. /abcnews.al

