Sezoni i ri i futbollit në Shqipëri nuk ka filluar akoma, teksa janë luajtur shumë ndeshje miqësore këtë periudhë. Tensioni, veprimet e gabuara dhe ndëshkimet me kartonë të kuq nuk kanë munguar.
Referuar edhe Kodit të Disiplinës, konkretisht Nenit 68/1, komisionet disiplinore të FSHF-së kanë të drejtën të procedojnë çdo shkelje edhe në ndeshjet miqësore që organizohen nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Diçka e tillë ka detyruar Komisionin e Disiplinës të mblidhet dhe të marrë tre vendime, duke dënuar me 5 ndeshje Qudus Lawal, sulmuesin nigerian të Bylis. Ajo që e pëson më shumë është Tirana, që pak ditë më parë humbi 0-1 miqësoren e luajtur në “Selman Stërmasi” ndaj Laçit të Cungut.
Argjentinasi Torassa u ndëshkua me të kuqe dhe ofendoi arbitrin kryesor, teksa kapiteni Idriz Batha pështyu brazilianin Ramos të bardhezinjve. Në vendimin e zbardhur të Disiplinës thuhet se mesfushori dënohet për sjellje antisportive ndaj zyrtarit të ndeshjes.
Dy titullarët e kampionëve në fuqi duhet të presin akoma për të zhvilluar ndeshjet e para zyrtare të sezonit të ri, pasi janë dënuar me nga 4 ndeshje pezullim.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës
- Lojtari i KF Bylis, Qudus Abiodun Lawal, për goditje me shkelm ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/e të KDS dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
- Lojtari i KF Tirana, Agustin Gonzalo Torassa, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/a të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
- Lojtari i KF Tirana, Idriz Batha, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/a të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik. /abcnews.al