Zyrtare: Suad Lici mbetet në klub, Vllaznia zgjedh administratorin e ri

schedule20:08 - 21 Tetor, 2020

schedule 20:08 - 21 Tetor, 2020

Drejtuesit e Vllaznisë kanë pranuar dorëheqjen e Suad Licit. Ish-futbollisti i njohur shkodran, mbante detyrën e administratorit të kuqebluve, pozicion nga i cili ka vendosur të tërhiqet tre ditë më parë. Këshilli Mbikëqyrës i klubit verior e ka pranuar largimin e Licit dhe ka zgjedhur Benjamin Nakun në këtë post.

KF Vllaznia bën të ditur se administratori i klubit, z. Suad Lici, ka kërkuar dorëheqjen nga ky pozicion për arsye të angazhimeve të tij personale. Këshilli Mbikëqyrës është njohur me kërkesën e z. Lici, e ka shqyrtuar dhe ka vendosur pranimin e saj.

Në vazhdim, Këshilli Mbikëqyrës ka diskutuar për administratorin e ri të KF Vllaznia dhe ka vendosur emërimin e z. Benjamin Naku në këtë pozicion. Z. Naku njihet për karrierën e suksesshme si sportist, por edhe si pedagog dhe drejtues i Departamentit të Edukimit Fizik e Sporteve, në Fakultetin e Shkencave të Edukimit pranë Universitetit të Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’.

Dëshirojmë të shprehim falënderimin tonë për punën e bërë nga z. Lici. Ai do të vazhdojë të japë kontributin e tij pranë KF Vllaznia, tashmë në pozicionin e Koordinatorit Teknik. Njëkohësisht i urojmë z. Benjamin Naku suksese në detyrën e re“, lexohet në komunikatën e klubit shkodran. /abcnews.al