SHBA dhe Rusia, gatishmëri për të zgjatur paktin e armëve bërthamore

schedule09:19 - 21 Tetor, 2020

schedule 09:19 - 21 Tetor, 2020

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia deklaruan gatishmërinë e tyre për të arritur një marrëveshje të re mbi kontrollin e armëve duke ngrirë arsenalet e mbushjeve bërthamore për një vit, pasi pakti aktual të skadojë në muajin shkurt.

Rusia propozoi zgjatjen e traktatit për kontrollin e armëve, me Departamentin amerikan të Shtetit që reagoi disa orë më vonë duke thënë se vlerësonte “vullnetin e Rusisë për të bërë përparim në çështjen e kontrollit të armëve bërthamore”.

Departamenti i Shtetit tha se “është i gatshëm të takohet menjëherë për të finalizuar  marrëveshjen. Ne presim që Rusia të autorizojë diplomatët e saj të bëjnë të njëjtën gjë”, thuhet në deklaratë.

Traktati i Ri i Pakësimit të Armëve Strategjike u nënshkrua në vitin 2010 dhe vendos kufizime në arsenalet bërthamore strategjike të të dy vendeve. Ai mund të zgjatet për pesë vite.

Zgjatja e mundshme e paktit  qoftë edhe për një vit do të shënonte një përmirësim të veçantë në marrëdhëniet bilaterale mes të dy vendeve për kontrollin e armëve.

Shtëpia e Bardhë është tërhequr nga traktatet e tjera të kontrollit të armëve me Moskën, duke akuzuar Kremlinin për shkeljen e tyre dhe duke pretenduar se marrëveshjet ishin të favorshme më shumë për Rusinë sesa për Shtetet e Bashkuara.

Joe Biden, rivali demokrat i presidentit Trump në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, mbështet zgjatjen e traktatit për ta përdorur atë si themel për marrëveshje të reja të kontrollit të armëve”./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!