Vrasja tek “Don Bosko”, policia merr në pyetje familjarë të viktimave

schedule16:02 - 11 Qershor, 2018

schedule 16:02 - 11 Qershor, 2018

Pas vrasjes së dyfishtë të ndodhur në zonën e “Don Boskos”, ku Xhafer Mata ekzekutoi me dy plumba ish të dashurën e tij dhe më pas vrau veten, Policia e Tiranës mori në pyetje pjesëtarë të dy familjeve të tyre. Ata kanë deklaruar se nuk kanë pasur asnjë mosmarrëveshje më herët.

Dy familjet Çuni dhe Mata, të ardhura në Tiranë nga Mati dhe Kukësi, nuk kanë pasur asnjë konflikt mes tyre derisa dy të rinjtë, pjesë e tragjedisë, do t’i sillnin deri në këtë pikë.

Përballë oficerëve të Krimeve të Rënda në policinë e kryeqytetit, anëtarët e familjes Çuni kanë përmendur disa episode të vogla që vajza e tyre u kishte u kishte rrëfyer në lidhje me Xhafer Matën. Por edhe në atë rast, familjarët e Xhulietës kishin zgjedhur t’i drejtoheshin policisë për kallëzim ndaj Matës dhe jo ta zgjidhnin personalisht.

Ndërsa familjarët e Xhafer Matës pohuan në polici se nuk kanë qenë në dijeni të denoncimit që 31-vjeçari kishte bërë po në muajin Maj të këtij viti kundër Xhuljeta Çunit, sipas të cilit, ajo i detyrohej me një shumë të madhe valute në paund.

Burime nga grupi hetimor i ngjarjes thane për ABC News se Policia e Tiranës nuk ka marrë në ruajtje banesën e familjes Mata, por thjesht kryejnë kontrolle periodike pranë saj, siç procedohet në rastet kur dy familjet e viktimës dhe autorit të krimit ndodhen afër njëra-tjetrës.

Rasti i Xhulieta Çunit dhe Xhafer Matës në Tiranë, ishte më i bujshmi dhe i fundit i regjistruar në kryeqytet.

Denoncimet në Policinë e Tiranës për dhunë në familje dhe për përndjekje janë shtuar kohet e fundit, duke u rritur me gati 20 % në një vit. Vetëm  në javën e parë të Qershorit, sipas burimeve nga policia e Tiranës, përfituan urdhër të menjëhershëm mbrojtje 19 gra dhe u paraqiten 15 denoncime për përndjekje. Ky trend në rritje i denoncimit të dhunës në familje dhe përndjekjes gjithsesi nuk ka ulur numrin e grave që kanë mbetur viktima të dhunës së bashkëshortëve në 6 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me këtë periudhë të 2017-s./abcnews.al