Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së dielës në vendin e quajtur “Ura e Blëzenckës”. 37-vjeçari Alban Hasanllari, duke drejtuar mjetin tip Benz, me targa AA 172 DH, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar poshtë urës, në ujërat e lumit Osum.
Për pasojë ai është plagosur rëndë, ndërsa trupin e tij mes shumë vështirësive e kanë nxjerrë nga automjeti guidat e “Federatës Shqiptare”.
Ndërkohë, problem serioz mbetet gjendja e shpateve të kanionit ku kalojnë makinat, pasi janë të pambrojtura. Përpara 8 vitesh është rrëzuar edhe një automjet tjetër dhe për pasojë humbën jetën gjashtë të rinj.
Lexo edhe: Aksidenti në kanionet e Osumit, Artan Hoxha: Si u nxor dhe refuzimi për ta çuar me helikopter
Sa i përket ngjarjes së ditës së sotme, nga pamjet e siguruara nga abcnews.al, guidat e “Federatës Shqiptare”, edhe pse ne vështirësi, kanë nxjerrë burrin nga makina dhe janë duke bërë transportimin e tij, për t’i dhënë ndihmën e parë mjekësore. Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, në momentin kur e mori ambulanca, 37-vjeçari kishte shenja jete.
Grupi i ekspertëve të policisë rrugore po punon për zbardhjen e shkaqeve dhe dinamikës së aksidentit të rëndë ndërsa shoferi i plagosur është dërguar me helikopter drejt Tiranës. s.b/abcnews.al/