Pamje të rënda/ Ra nga 100 m lartësi, momenti kur guidat nxjerrin shoferin nga makina

schedule15:22 - 18 Tetor, 2020

schedule 15:22 - 18 Tetor, 2020

Një aksident i rëndë është regjistruar sot përgjatë segmentit rrugor Çorovodë-Prishë.

Në vendin e quajtur “Ura e Blëzenckës”, shtetasi Alban Faik Hasanllari, duke drejtuar mjetin tip Benz, me targa AA 172 DH, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar poshtë urës.

Rënia nga një lartësi rreth 100 metër në ujë, e ka bërë tepër të vështirë nxjerrjen e trupit të të plagosurit nga automjeti.

37-vjeçari është nxjerrë nga makina me ndihmën e guidave të “Federatës Shqiptare” të rafting në kanionet e lumit “Osum” të cilët ishin duke ushtruar sportin e tyre gjatë kohës së aksidentit.

Nga pamjet e siguruara nga abcnews.al, guidat e “Federatës Shqiptare”, edhe pse ne vështirësi, kanë nxjerrë të riun nga makina dhe janë duke bërë transportimin e tij, për ti dhënë ndihmën e parë mjekësore.

Sakaq policia ka mundur të mbërrijë në vendin e aksidentit.

Burime të policisë bëjnë me dije se, i plagosuri është nxjerrë nga makina me shenja të dobëta jete dhe më pas është transportuar me ambulancë drejt helikopterit.

Paraprakisht mendohet se shkak për këtë aksident të rëndë është bërë shpejtësia me të cilën po udhëtonte 37-vjeçari Alban Hasanllari si dhe lagështira në rrugë.

Të njëjtat burime konfirmojnë se grupi i ekspertëve të policisë rrugore po punon për zbardhjen e shkaqeve dhe dinamikës së aksidentit të rëndë.

n.d./abcnews.al