Rekord infeksionesh edhe në rrethe, Fieri me numrin më të lartë të rasteve me Covid-19

schedule17:53 - 16 Tetor, 2020

schedule 17:53 - 16 Tetor, 2020

Për herë të parë që prej pacientit zero në mars të këtij viti, në Fier është shënuar numri më i lartë deri më sot, i të infektuarve me Covid, në 24 orë.

Sipas raportimit ditor të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit, u konfirmuan 34 raste me koronavirus, duke bërë që qyteti i Fierit, të renditet i dyti menjëherë pas Tiranës, për numrin më të lartë të të infektuarve.

Gazetarja Valbona Davidhi raportoi për ABC News, se në 34 rastet e konfirmuara me virusin e ri,  janë identifikuar, një mjeke 34-vjeçe nga Patosi e cila punon në Urgjencën e Spitalit të Fierit, një mësues në shkollën “Mustafa Matohiti”, një edukatore në çerdhja nr. 4 në Fier, një mësues në shkollën e mesme “Perikli Ikonomi”, një punonjëse burgu, dhe një punonjëse policie.

Pjesa tjetër e të infektuarve, janë identifikuar në ndërmarrje fasonerie, si dhe një kompani tjetër.

Dita e sotme ka shënuar një numër rekord të infektuarish, në të gjithë vendin, nga Covid-19, që prej fillimit të epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë ka raportuar se janë kryer 1402 testime në 24 orët e fundit, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 289 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2, si dhe janë shënuar 4 viktima.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!