Samiti i G7-s, Macron takim të ngrohtë me Trump

schedule22:59 - 8 Qershor, 2018

schedule 22:59 - 8 Qershor, 2018

Liderët e vendeve të G7-s e kanë nisur samitin e Kanadasë me një seri takimesh kokë më kokë. Macron është takuar për 10 minuta me Trump, ndërsa kryeministri i Italisë, Conte është njohur nga afër me liderët e pranishëm. Ndërkohë, krerët e BE-së kanë përjashtuar kthimin e Rusisë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe ai amerikan, Donald Trump, kanë zhvilluar një takim të ngrohtë në Kanada, në kuadër të samitit të G7-s. Burime në dijeni të takimit kanë deklaruar se krerët e shteteve kanë diskutuar për tregtinë dhe Korenë e Veriut.

Sipas burimeve, ka qenë Trump që ka dashur takimin me Macron sapo ka mbërritur në Kebek dhe dialogu kokë më kokë ka zgjatur rreth 10 minuta. Ndërkohë, vetë presidenti francez ka publikuar në profilin e tij në Twitter videon e takimit në fjalë.

“Dialog, sërish dhe përgjithmonë. Përballje dhe bisedime pa pushim për të mbrojtur interesat e francezëve dhe gjithë atyre që besojnë se botën mund ta ndërtojmë së bashku”, ka thënë Macron në profilin e tij.

Ndërkohë, presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk ka mirëpritur kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte.

“Ndihem i nderuar që takova kryeministrin Conte. Së bashku zhvilluam bisedime pozitive për G7-n, BE-në, emigrantët dhe Rusinë”, ka deklaruar Tusk, edhe ky përmes Twitterit.

Më herët, Tusk dhe presidenti i Komisionit Europian Jean Claude Juncker hodhën poshtë idenë e Trump për përfshirjen e Rusisë në grup.

“Për momentin G7-a nuk preket. Duhet të ruajmë parimet e BE-së, që do të thotë se shtete si Rusia duhet të respektojnë rregullat ndërkombëtare”, tha Juncker.

Megjithatë, Juncker u shpreh i gatshëm për të rihapur dialogun me Moskën, por në mënyra të tjera./abcnews.al