Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi seancën dëgjimore për kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Në raportin e lexuar në KPK Dedja kishte probleme me justifikimin e disa prej pasurive në vlera që shkonin në mijëra euro.
Kufiri mes suksesit dhe dështimit në procesin e vettingut duket një vijë shumë e brishtë për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Vendimi përfundimtar për të pritet të shpallet në 13 qershor, duke lënë disa ditë në tension gjyqtarin me 25 vjet karrierë në sistemin e drejtëisë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbuluar probleme në justifikimin e pasurisë. Faktet u pohuan të premten, në seancën dëgjimore ndaj tij në KPK.
Bashkim Dedja kishte shfrytëzuar të drejtën e mosparaqitjes, duke ia lënë avokatit të tij Maksim Haxhia të përballej me gjetjet aspak pozitive ndaj gjyqtarit.
Problemet nisnin nga aparamenti me sipërfaqe 146 m2 dhe një garazh 15 m2 të blera në shumën 180 mijë euro. Dedja ka deklaruar se për këtë shumë ka marrë 120 mijë euro kredi, 25 mijë euro hua pa interes nga kunati dhe vëllai, si edhe pjesën e mbetur prej 35 mijë euro i ka pasur kursime të tij dhe bashkëshortes.
Nga verifikimi i thelluar i KPK ka rezultuar se në datën e huadhënies të nënshkruar para noterit, kunati i gjyqtarit nuk kishte qenë fare në Shqipëri. I pyetur për këtë situatë, Dedja kishte ndryshuar deklarim, duke pohuar se huan e kishte marrë jo nga kunati, por nga babai i kunatit. E pajustifikuar rezultonte edhe huaja prej 15 mijë euro marrë tek vëllai. Kjo për faktin se në atë periudhë vëllai i tij kishte blerë një aparament në Tiranë përmes një kredie bankare.
Sipas KPK, situata problematike nuk përfundonte këtu. Pasi në lidhje me këtë apartament të dytë, në vitin 2003 Bashkim Dedja kishte deklaruar se ishte blerë nga të ardhurat financiare të tij dhe vëllait, ndërsa në deklaratën e bërë për llogari të vettingut, shprehje ai ishte pronar i vetëm i saj.
Një tjetër dyshim i ngritur nga Komisioni ishte një apartament në Golem të Kavajës, i mbajtur në përdorim nga gjyqtari. Sipas KPK, ky apartament figuronte në emër të vëllait tjetër të Dedjes me banim në Dibër. Por, kontrata e energjisë e këtij apartamenti mbante emrin Bashkim Dedja dhe ishte paguar prej tij nga dita e parë e lidhjes e deri sot. E vetmja pasuri e pakomentuar ishte një truall prej 2 mijë metër2 në Dibër. Në lidhje me pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale, Dedja rezultonte i përshtatshëm.
Në fjalën mbrojtëse, Haxhia mohoi pretendimet e ngritura, duke pohuar se pasurite e vëllezërve të gjyqtarit kishin ardhur nga puna në emigracion dhe nga suksesi në bletari, blegtori e pemëtari.
“Nuk ka dy deklarata të ndryshme por ka dy deklarata që janë bazuar në të dhëna shtesë. U pamë të dhënat e para, pastaj u kërkuan të dhënat më të detajuara dhe prova për burimin e parave të vëllait i cili është emigrant 25 vjet jashtë shtetit. Pasi i solli në formën e duhur me apostile dhe u pa që këto burime janë të pastra dhe të mbuluara nga vëllai i vet për blerjen e këtij apartamenti. Është një apartament që është blerë në plazh nga vëllai i tij që ka të dhëna të konsiderueshme”.
Largimi i mundshëm i Dedjes nga sistemi do të vështirësonte edhe më shumë situatën në Gjykatën Kushtetuese, aktualisht jofunksionale, e cila ka tre anëtarë në total, një prej të cilëve me mandat të mbaruar./abcnews.al