Vrasja e Azem Hajdarit, Izet Haxhia del para Gjykatës së Tiranës

schedule16:32 - 7 Qershor, 2018

schedule 16:32 - 7 Qershor, 2018

Gjykata e Tiranës zhvilloi seancën e parë të kërkesës së Izet Haxhisë, i dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e deputetit Azem Hajdari për rihapje të gjykimit të tij në Shqipëri. Në përballjen e tij të parë me gjykatën, Haxhia kërkoi të ballafaqohej me ish-kryeministrin Sali Berisha.

Nga ky kafaz i qelqtë i ekstraduari nga Turqia, Izet Haxhia, kërkoi t’i krijohet mundësia për rihapje të gjykimit të bërë ndaj tij. Ai kërkoi të përballet më ish-kryeministrin, Sali Berisha.

“Unë jam akuzuar për vrasje, kur kam qenë në Turqi. Drejtësia shqiptare ka qenë në trinom me politikën dhe krimin. Ka qenë jashtë shinave. Më jepni mundësinë të dëgjohem. Dua të ballafaqohem me Sali Berishën. Unë të mbroj veten time, ai të tijën”, tha Izet Haxhia.

Përmes avokatit, Bashkim Asllani, Haxhia i kërkoi gjyqtarit Besnik Hoxha të rivendosë në afat ankimin ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës të vitit 2002, që e dënoi atë me 25 vite burg si bashkëpunëtor  në vrasjen e Azem Hajdarit.

Avokati tha se klienti i tij ishte gjykuar në mungesë dhe se ai nuk ka dhënë deklarime para organeve proceduese. Mbrojtësi ligjor i Haxhisë e mbështeti kërkesën në tre prova që paraqiti para gjykatës: një shkresë e vitit 2007 të Ministrisë së Drejtësisë drejtuar autoriteteve turke dhe një shkresë e vitit 2008 e Ministrisë së Jashtme dërguar Gjykatës së Strasburgut. Në këto shkresa pala shqiptare jepte garancitë për një proces të rregullt në Shqipëri për Haxhinë. Prova e tretë ishte një raport i Shërbimit Inteligjent të vitit 1998, atëkohë SHIK, për vrasjen e Hajdarit, ku nuk përmendej emri i Haxhisë.

Prokurori kërkoi të njihet me provat, para se të jepte qëndrimin për kërkesën, por shtoi se Haxhia nuk argumentoi forcën madhore që e ka penguar për ankimin.

“Shkak madhor ka qenë garancia ime për jetën. Unë gjithmonë kam dashur të përballem me drejtësinë”, tha Haxhia, duke përmendur edhe një marrëveshje të bërë nga personazhe politike, sipas tij, për eliminimin e tij fizik. Seanca e radhës të këtij procesi pritet të zhvillohet në 14 Qershor./abcnews.al