Edhe sot, siç do të enjte, opozita ka bllokuar foltoren e kuvendit për të penguar ecurinë normale të seancës parlamentare.
Ka qenë kryetari i PD Lulzim Basha ai që ka marrë fjalën i pari, duke kërkuar prezencën në seancë të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj. Basha ka akuzuar kryeministrin dhe ministrin e brendshëm si pengesë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE e për këtë duhet të japin llogari në kuvend.
“Në këtë seancë shprehja më e qartë e kapitullimit të drogës ku mungojnë dy kokat kryesore të aleancës me krimin Rama e Xhafaj.
Kërkesa jonë është e qartë, kjo seancë nuk duhet të vazhdojë pa praninë e tyre. Në një moment kyç për të ardhmen europianë është një detyrim moral e politik, nëse kanë vendosur të mos vijnë në këtë sallë le të largohen sot”- tha Basha.
Kryetari i Kuvendit ka bërë të ditur se kryeministri e ministri i brendshëm ndodhen në takime pune me ndërkombëtarë e do vijnë në një moment të dytë në seancë. Ai e ka ftuar opozitën të lirojë foltoren e të lejojë raportimin e institucioneve, sipas parashikimit të axhendës së seancës.
Kreu demokrat tha se është informuar për qëndrimet kundër çeljes së negociatave nga ndërkombëtarët.
“Ka katër javë që skandali i vëllezërve Xhafaj, njëri kokë e krimit dhe tjetri që e mbron atë ka pushtuar vëmendjen e opinionit publik dhe ndërkombëtarëve. Këtë të hënë kam qenë në Berlin i ftuar nga autoritet më të larta gjermane për të diskutuar shqetësimin e tyre se situata politike në vend është shumë keq. 6 javë pas largimit të Edi Ramës nga Berlini jo vetëm që nuk është përmirësuar por ka shkuar më keq. Në këto kushte është e paimagjinueshme që Bundestagu apo çdo institucion tjetër të rekomandojë hapjen e negociatave”.
Kryetari i Kuvendit ka ndërprerë seancën, por kjo nuk ka shërbyer që foltorja të lirohej./abcnews.al