Kryetari i Bashkisë së Spezzano Albanese, Ferdinando Nociti, bëri thirrje për bashkim të arbëreshëve dhe forcimin e lidhjeve me Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Në intervistën për emisionin “Të gjitha rrugët çojnë në Romë”, në ABC News, Nociti theksoi rrezikun që i kanoset gjuhës arbëreshe, duke e lidhur atë edhe me shpopullimin e komunave arbëreshe.
Ai kërkoi angazhim më të madh të politikës dhe të dy qeverive, në Romë dhe Tiranë, për mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit arbëresh. Nociti u shpreh kundër krijimit të një partie politike arbëreshe, duke argumentuar se një nismë e tillë mund të thellonte përçarjet brenda komunitetit. “Askush nuk shpëtohet i vetëm”, tha ai, duke nënvizuar se kultura, gjuha, kënga dhe historia arbëreshe mund të shndërrohen në motor të zhvillimit ekonomik të këtyre komuniteteve.
Intervistë e plotë:
Artur Nura : Përshëndetje, Kryetar i Bashkisë së Spezzano Albanese. Çfarë do të thotë të bësh këtë marshim?
Ferdinando Nociti: – Sindaco Spezzano: Është i njëjti apel që ne e lançuam në një mënyrë të fortë dje mbrëma. Fakti që duhet të jemi të gjithë të bashkuar për të mbrojtur, vlerësuar identitetin tonë. Pra, identitetin arbëresh së bashku me ju, vendet fqinje dhe mike si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, për të shpërndarë këtë mesazh: të gjithë bashkë jemi më të fortë.
Artur Nura : Të gjithë bashkë jemi më të fortë dhe, në fakt, ky organizim ka sjellë këtu në Spezzano shqiptarë nga të gjitha këto treva që ju përmendët… Ju dje folët për rrezikun e gjuhës arbëreshe. U përmend ideja që të realizohet një apel e t’i dërgohet dy qeverive, në Romë dhe në Tiranë, që të marrin përgjegjësitë. Çfarë duhet të bëjmë konkretisht?
Ferdinando Nociti: : Para së gjithash, siç thashë edhe më parë, duhet të bëhemi të gjithë bashkë. Sepse askush nuk shpëtohet i vetëm! Pra, së bashku, por në një mënyrë serioze, të shtyjmë politikanët tanë të interesohen për këto problemet tona dhe veçanërisht gjuhën arbëreshe, por edhe çpopullimin. Sepse ne e flasim gjuhën, por nëse të rinjtë shkojnë në Milano, Romë, Trieste dhe…
Artur Nura : Por të rinjtë ikin dhe nëse ju ofroni ekonomi dinjitoze këtu, ata mund të kthehen. Jo?
Ferdinando Nociti: : Po, sigurisht. Për këtë po punojmë, që të lidhim kulturën, gjuhën, këngën, historinë tonë shumë të veçantë në një motor për zhvillimin ekonomik të Komunave tona…
Artur Nura : Për të bërë një ekonomi më të fortë, ka nga ata që sugjerojnë organizimin e një partie politike arbëreshe… Ju si mendoni?
Ferdinando Nociti: : Jo, shiko, ne jemi tashmë të ndarë si popull arbëresh. Nëse shtojmë edhe një parti politike, apo politikën në mes, rrezikojmë të ndahemi më shumë dhe përgjithmonë… Unë besoj që çdo parti politike të bëjë rolin e saj dhe desha të them se ideologjia është një gjë, por këto tonat janë vlera të përbashkëta që na bashkojnë…
Artur Nura : Pra, ju nuk jeni në favor të këtij organizimi?
Ferdinando Nociti: : Jo, unë besoj që ajo do na përçante dhe në këtë fazë nuk mund të lejojmë që të përçahemi dhe ndahemi…
Artur Nura : Po apelin për dy qeveritë, si mendoni, do ta bëni?
Ferdinando Nociti: : Në këtë drejtim besoj se duhet të punojnë më shumë Shqipëria dhe Kosova, sepse besoj që po bënë presion ata kundrejt qeverisë tonë, sigurisht që mund të arrihet diku…
Artur Nura : Pra, ju jeni i interesuar kundrejt kësaj ideje?
Ferdinando Nociti: : Unë besoj që në këtë drejtim shtetet, popujt miq, janë të gjithë të interesuar, sepse kemi një ndjenjë të përbashkët, gjuhën.
Artur Nura : Bukur, por ne e bëjmë programin tonë televiziv duke u mbështetur te demokracia. I mbledhim të gjitha opinionet, si të atyre që janë kundër, por edhe të atyre që janë pro. Dhe ka nga ata që janë pro një partie politike arbëreshe.
Ferdinando Nociti: : Kjo është bukuria e demokracisë.
Artur Nura : Komplimenti.
Ferdinando Nociti: : Grazie.


