Luiza Gega thyen rekordin kombëtar në 3 000 metra me pengesa

schedule14:40 - 1 Qershor, 2018

schedule 14:40 - 1 Qershor, 2018

Luiza Gega thyen një tjetër rekord të atletikës shqiptare. Ajo garoi në Ligën e Artë në Romë, në konkurrimin më të fortë të vitit në 3 000 metra me pengesa.

Nuk mundi të ishte mes më të mirave, por sërish arriti sukses.

Luiza Gega e tregoi veten edhe një herë në nivelet më të larta të atletikës shqiptare duke thyer rekordin kombëtar në 3 000 metra me pengesa për femra.

Atletja 29-vjeçare garoi në Mitingun e Ligës së Artë në Romë, duke zënë vendin e 9-të mes 22 sportisteve, në konkurrimin më të fortë të vitit 2018 deri tani.

Gega dha kohën 9’22”, që është përmirësim i rekordit të mëparshëm, mbajtur po nga ajo vetë, me plot 4 sekonda.

Ishte e pamundur që shqiptarja të luftonte për një pozicion më të mirë, pasi vendi i 8-të, xhamajkania Aisha Progt, vrapoi 3 sekonda më shpejt sesa ajo.

Për fat të keq, Luiza nuk mori dot pikë kualifikuese, vetëm për shkak të një pozicioni.

Fituese doli Hivin Xhepkemoi Kijeng e Kenias me kohën 9’04”96, koha më e mirë e vitit, duke lënë prapa dy atlete të tjera keniane.

Luiza Gega është atletja më e mirë femër e Shqipërisë, duke pasur rekordet kombëtare në 800, 1500 e 3 000 metra me pengesa, ndërsa është shpallur nënkampione e Europës në 2016, ka dalë kampione e Lojërave Europiane në 2015 dhe nënkampione e Lojërave Mesdhetare në 2013./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!