Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump i ka dërguar një letër kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Në letrën e publikuar nga shefi i qeverisë shqiptare, Trump falenderon Ramën për mbështetjen që Shqipëria jep për krijimin e rrjeteve të sigurta të telekomunikacionit duke e cilësuar një shembull të fortë në rajon.
Ndër të tjera ai thekson se shpreson që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria së shpejti të nënshkruajnë një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, një marrëveshje që i hap rrugën vendeve të tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë.
Trump në letrën e tij dërguar Ramës i ka kërkuar atij që të dalë nga nisma e Kinës 17 + 1. Ky është një bashkëpunim që njihet si “17 + 1”, duke iu referuar 16 shteteve të Evropës Qëndrore dhe Lindore me të cilat Kina (“+1”) po forcon marrëdhëniet: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Hungaria , Letonia, Lituania, Maqedonia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia dhe Sllovenia.
Mekanizmi 17 + 1 përfshin një grup mjaft heterogjen vendesh. Nga 17 shtetet pjesëmarrëse të EQL, 11 janë shtete anëtare të BE (pesë prej të cilave janë gjithashtu anëtare të eurozonës me monedhën e vetme), katër janë vende kandidate për në BE dhe një është një shtet kandidat potencial, sic është vendi ynë.
Gjithashtu në letrën drejtuar Ramës, Trump thekson rëndësinë dhe rolin e Shqipërisë në mbështetjen e normalizimit ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës.
Letra e plotë:
I dashur Z. Kryeministër:
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë dua t’ju falënderoj juve për lidershipin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe nëpër Europë, për ekspozimin e ndikimit malinj të Kinës, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe praktikat grabitqare të huazimit. Mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë. Jam gjithashtu i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve – një alternativë transparente, e bazuar në treg dhe e drejtë, e formatit Kina 17 + 1 prej të cilit unë ju nxis të dilni.
Unë dua t’ju falënderoj që e keni mbështetur normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës dhe për mbështetjen tuaj të fuqishme të Marrëveshjeve të Abrahamit, hapi më domethënës drejt paqes në Lindjen e Mesme për këtë gjeneratë. Ju inkurajoj që t’u bashkoheni Shteteve të Bashkuara dhe të tjera kombeve evropiane në zhvendosjen e ambasadës suaj në Jeruzalem.
Sinqerisht.e.su./abcnews.al