Skënderbeu fitoi trofeun e vetëm që i mungonte, Kupën e Shqipërisë. Një penallti e dyshimtë, kthyer në gol nga Sabien Lilaj, i dha suksesin në finalen ndaj Laçit në “Elbasan Arena”.
Më në fund futboll i vërtetë.
Skënderbeu e Laçi luajtën një finale të Kupës së Shqipërisë, e cila vështirë se mund të ketë zgjuar ndonjë hije dyshimi, të paktën për atë që u pa në fushë.
Korçarët, ata që ishin favoritë, fituan trofeun e vetëm kombëtar që i mungonte, duke realizuar një sukses të dyfishtë në sezonin më të mirë të klubit në të gjithë historinë.
Titull kampion, Kupë, dhe 5 pikë të marra në fazën e grupeve të Ligës së Europës.
As optimistët më të pandreqshëm nuk mund të kërkonin më shumë, ndërsa asnjë skuadër shqiptare nuk ia kishte dalë në të kaluarën, ndonëse krahasimi mbetet i çalë kur mendon Flamurtarin që eleminoi Partizanin e Beogradit, që barazoi dy herë dhe që mundi Barcelonën.
Në “Elbasan Arena” u luajt fort, me të dyja skuadrat që meritonin të ishin fituese.
Ia dolën të besuarit e trajnerit Ilir Daja, por iu desh edhe fati.
Në momentin e vetëm të dyshimtë të përballjes, gjyqtari Hamiti e dha vendimin në favor të tyre.
Akordoi penallti, ndërsa pamjet filmike të përsëritura treguan se ndërhyrja e Gjonit ndaj Xhejmsit ishte në kufijtë e zonës së rreptësisë, jo brenda saj, pra 11-metërshi normalisht nuk duhej të jepej.
Gjithsesi, kur vendos gjyqtari asgjë nuk kthehet mbrapsht dhe ishin të kota protestat e kurbinasve.
Mjeshtri Sabien Lilaj nuk gaboi nga 11 metra larg dhe vendosi fatin e finales.
Një sukses që bardhekuqtë e deshën fuqimisht pasi, nëse gjyqi në KAS përfundon keq, nuk dihet se kur do të kenë rast tjetër për të fituar Kupën.
Laçi shembullor i trajnerit gjithashtu shembullor Gentian Mezani ishte sërish ekipi për t’u veçuar në këtë konkurrim.
Kjo ishte finalja e katërt në 6 vitet e fundit, dhe kurbinasit i kanë fituar më parë dy trofe.
Ata e kishin siguruar që më parë pjesëmarrjen në Ligën e Europës dhe kjo gjë ndoshta ndikoi sadopak në motivim.
Në analizën e fundit, duhet të themi se Kupën e fitoi skuadra më e mirë e Shqipërisë, edhe pse në finale nuk e tregoi epërsinë që pati këtë edicion./abcnews.al