Ishte apo nuk ishte i rregullt?!
Kjo është pyetja që u bë menjëherë pasi Egnatia shënoi golin e dytë ndaj Skënderbeut në “Arenën” e Rrogozhinës.
Ishte minuta e 84-ët kur topin në rrjetë e dërgoi Lukili.
U deshën shumë minuta për të verifikuar aksionin dhe pozicionin e lojtarit vendas Albaneze, që harkoi topin në zonë, dhe në fund u dha drejtim që të ishte i rregullt.
Kampionët fituan, me polemikat që pritet të vazhdojnë pasi shpërthyen ashpër në sfidën Elbasani-Vllaznia.
Përtej dyshimeve, kjo ishte hera e parë që kampionia e vendit u vu në vështirësi, edhe pse luante në fushën e saj.
Skënderbeu, ndonëse i ardhur nga Kategoria e Parë, bëri rezistencë të fortë, dhe madje barazoi rezultatin në 1-1, aq sa u mbyll pjesa e parë.
Albaneze shënoi për rrogozhinasit në 14’, për të ardhur goli e 1-1 në 34’ nga penalltia e kthyer në gol nga Nasr.
Korçarët padyshim që duhet të dëshpërohen sepse humbën një tjetër penallti më herët, madje kur rezultati ishte 0-0.
Nga ana tjetër, trajneri kampion Dede mund të jetë disi i shqetësuar që për herë të parë mbrojtja e të vetëve nuk ishte aq e fortë sa në ndeshjet e kaluara.
Natyrisht, Egnatia nuk mund të bëhet me faj.
Deri tani, ka luajtur 8 ndeshje në kupat kontinentale, në Champions dhe Ligën e Europës, përveçse tri në Superligë.
Padyshim që lodhja bën të vetën, ndërsa sezoni është i gjatë dhe pritet i vështirë, në duel me Dinamon, por edhe me pretendentë të tjerë për titull./abcnews.al

