Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Gjykata Penale e Hagës, përplasje BE-SHBA/ BE: Uashingtoni të anulojë sanksionet, cenohet pavarësia e gjykatës

schedule15:34 - 10 Tetor, 2026

schedule 15:34 - 10 Tetor, 2026

Pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të zgjeruar sanksionet ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Bashkimi Evropian i ka kërkuar Uashingtonit të tërhiqet nga masat dhe të shmangë hapa të tjerë që mund të cenojnë pavarësinë e drejtësisë ndërkombëtare.

Në deklaratën e publikuar në emër të 27 vendeve anëtare, Kaja Kallas shprehu keqardhjen e thellë të BE-së për vendimin amerikan, duke theksuar se Gjykata duhet të veprojë e pavarur, pa presion dhe ndërhyrje të jashtme.

Kallas deklaroi gjithashtu se Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk i shënjestron shtetet sovrane, por vepron vetëm nëse një shtet nuk është i gatshëm ose i paaftë të hetojë ose ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës për krime të tilla si gjenocidi, krimet e luftës ose krimet kundër njerëzimit.



Vendimi u njoftua një ditë më parë nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili argumentoi se Gjykata nuk ka autoritetin të ndjekë penalisht qytetarë dhe zyrtarë amerikanë. Uashingtoni kundërshton gjithashtu juridiksionin e saj ndaj shteteve që nuk janë palë të Statutit të Romës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë të kufizojnë burimet dhe marrëdhëniet financiare të Gjykatës, duke ndikuar drejtpërdrejt në aftësinë e saj për të funksionuar. Masat e reja shënojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit mes Trump dhe institucionit ndërkombëtar.

Vetë Gjykata Ndërkombëtare Penale i ka kundërshtuar fuqimisht sanksionet, duke i cilësuar si një përpjekje për të penguar drejtësinë dhe për të cenuar rendin ndërkombëtar të bazuar në ligj.

Institucioni u ka bërë thirrje 125 shteteve palë të garantojnë kushtet e nevojshme për vazhdimin e punës së tij, ndërsa zëvendësprokurorja Nazhat Shameem Khan ka deklaruar se hetimet dhe ndjekjet penale do të vazhdojnë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!