PS shtyu ndryshimet për listat e koalicionet, Vasili: Taktikë bajate, puçi i radhës nga mazhoranca

schedule20:08 - 28 Shtator, 2020

schedule 20:08 - 28 Shtator, 2020

Ndryshimet e Kodit Zgjedhor nuk do të votohen më 1 tetor siç ishte paracaktuar me herët. Mazhoranca sqaroi se grupi i punës nuk ka mjaftueshëm kohë të shkruajë një dokument gjithëpërfshirës.

Lidhur me këtë shtyrje, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, u shpreh në Abc News se kemi të bëjmë me “puçin e radhës” nga ana e mazhorancës.

“Është një taktikë bajate, siç ndodhi në 5 qershor. Pak më parë na u vunë disa limite virtuale kohore që të na impononin…Një deadline që do të justifikojë një maskarallëk politik, puçi i radhës.”

I pyetur nëse deklarata e ambasadores amerikane Yuri Kim ishte një reagim pas propozimit të PD për listat apo bëhej fjalë për një rakordim mes dy palëve, Vasili u shpreh se faktori ndërkombëtar nuk kishte si të shprehej ndryshe.

“E përshëndetën sepse ky faktor ka qenë gjithnjë aty, ka qenë dëshmitar. Ai draft që patë ju, u shtyp brenda ambasadës amerikane. Opozita ka qenë korrekte, mazhoranca nuk i ka qëndruar 5 qershorit.”

Ndërsa, i pyetur nëse opozita ka një plan B nëse Rama vijon përpara me ndryshimet në Kodin Zgjedhor për listat, Vasili u shpreh se ekzistojnë disa plane.

” Unë nuk mund të dal përpara kohe, e të them vendimet që do marrë opozita. Ekzistojnë disa plane,po një gjë është e sigurt, në asnjë plan Edi Rama nuk fiton asgjë.”

Po ashtu, sa i përket qëndrimeve të ndërkombëtarëve, edhe në lidhje me djegien e mandateve, Petrit Vasili u shpreh se këta të fundit kanë reflektuar më në fund.

“Sot, reflektimi i ndërkombëtarëve është i forte sepse kuptuan që ato alarme që nënvlerësuan janë sot realitete të frikshme.” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!