Masivizohet protesta, çfarë po ndodh në stadiumet e Superiores

schedule16:04 - 27 Shtator, 2020

schedule 16:04 - 27 Shtator, 2020

Bojkoti vazhdon, sikurse ishte paralajmëruar. Kategoria Superiore duhet të kishte nisur dhe dje e sot të zhvilloheshin takimet e javës së tretë, por klubet nuk tërhiqen dhe sot në “Selman Stërmasi”, “Reshit Rusi”, “Niko Dovana” dhe “Adush Muçaj” janë rreshtuar lojtarët dhe akademitë, duke e bërë protestën edhe më masive.

Sërish deklaratë dhe klubet presin që kërkesat e tyre të plotësohen për të luajtur, madje dy ditë më parë kanë dorëzuar edhe një relacion të zgjeruar dhe me argumente se pse qeveria duhet të plotësojë kërkesat që krijojnë një shtrat zhvillimi për sportin shqiptar.

“Ne, futbollistet e skuadrave të Kategorisë Superiore vazhdojmë protestën tonë në mbështetje të katër kërkesave të Ligës Profesioniste të Futbollit, drejtuar qeverisë shqiptare.

Së bashku me ne në këtë protestë sot janë bashkuar edhe futbollistet e rinj të akademive, që janë e ardhmja e futbollit.  Të gjithë së bashku duam që zëri ynë të dëgjohet për të siguruar një të ardhme sa më të mirë për lojën tonë të dashur, futbollin.

Ne jemi të bindur që kërkesat drejtuar qeverisë janë rruga e shpëtimit për futbollin dhe sportin në përgjithësi. Vetëm kështu mund të shpresojmë në një të ardhme më të mirë.

Ne do të vazhdojmë të ngremë zërin, sepse besojmë se sporti është lënë në harresë ndër vite. Dhe si një e mirë publike, të gjithë politikanët duhet t’i kthejnë sytë nga sporti.  Presim sa më shpejt një reagim pozitiv nga ana e qeverisë për të ardhmen e sportit në Shqipëri”, ishte deklarata që lexuan kapitenët e skuadrave të Superiores.

Deri më tani qeveria ka hezituar të plotësojë katër kërkesat e klubeve të Superiores për Ligjin e Sponsorizimit, uljen e TVSH-së në 6 %, faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet fiskale, si dhe zerimin e tatimit mbi pagën për 10 vite e jo për dy. / abcnews.al

KATEGORIA SUPERIORE – Java 3
Teuta-Kukësi
Vllaznia-Tirana
Bylisi-Skënderbeu
Kastrioti-Apolonia
Partizani-Laçi

https://www.instagram.com/tv/CFpXUTIggeT/?utm_source=ig_web_copy_link