Pas publikimit në ABC News të deklaratave të artistëve të cilët u shprehën kundër idesë së bërë publike nga ministrja e kulturës Elva Margariti, e cila hodhi idenë e mos varësisë të operas dhe Ansamblit Popullor vetëm nga shteti, ka reaguar institucioni i kulturës duke i quajtur deklaratat, hamendësime të pabazuara.
Sipas ministrisë së kulturës, “kërkesat dhe problematikat e shprehura herë pas here si në nivel institucional, nga trupat e teatrit, ashtu edhe nga komuniteti i gjerë i artistëve, kanë vënë në dukje nevojën për të hulumtuar modele të suksesshme, për rritjen e kapaciteteve financiare, njëkohësisht me rritjen e standardeve të aktivitetit artistik dhe produksioneve të të gjitha zhanreve”.
Por përpos njoftimit të saj shpjegues ministria nuk ka sqaruar prpozimin e saj në lidhje me varësinë e operas por thjesht thotë se “synimi i Ministrisë së Kulturës është që skena e TKOBAP të kthehet ne polin artistik referues, jo vetëm për hapësirën shqipfolëse, por edhe për vendet e rajonit”.
Njoftimi i Ministrisë së Kulturës:
Ndërsa me padurim presim ditën kur me të parën shfaqje të përurojmë ambientet e rikonstruktuara, të nxjerra nga harresa shumëvjeçare, Ministria e Kulturës fton opinionin publik dhe komunitetin e artistëve të kthejnë vëmendjen tek faktet dhe të vërtetat e prekshme të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke iu larguar dizinformimit dhe hamendësimeve të pabazuara, deri në trillime, mbi një të ardhme të TKOBAP jashtë strukturave të Ministrisë së Kulturës.
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit është jo vetëm një nga institucionet publike më prestigjioze, por dhe lider në jetën artistike në vend.
Kërkesat dhe problematikat e shprehura herë pas here si në nivel institucional, nga trupat e teatrit, ashtu edhe nga komuniteti i gjerë i artistëve, kanë vënë në dukje nevojën për të hulumtuar modele të suksesshme, për rritjen e kapaciteteve financiare, njëkohësisht me rritjen e standardeve të aktivitetit artistik dhe produksioneve të të gjitha zhanreve.
Nga ana tjetër, një nga misionet e Ministrisë së Kulturës është nxitja dhe promovimi i talenteve të reja. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme në vite të drejtuesve të këtij institucioni, për të përfshirë në produksionet e tyre të rinj të talentuar, kjo ka qenë e vështirë, pikërisht nga mungesa e të ardhurave dhe strukturave të kufizuara.
Mbështetja e talenteve të reja dhe rritja e konkurrencës është një aspekt i shëndetshëm, i cili do të kontribuonte drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë artistike të institucionit.
Synimi i Ministrisë së Kulturës është që skena e TKOBAP të kthehet ne polin artistik referues, jo vetëm për hapësirën shqipfolëse, por edhe për vendet e rajonit.
Kishte ardhur koha, që në shtëpinë e operës të ndodhte një ndryshim rrënjësor. E nisëm rrugëtimin tonë me investime në infrastrukturë, për të pasur një teatër të denjë për emrin që mban, atë të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Vazhduam me rishikimin e kuadrit ligjor dhe ekonomik të tarifave dhe çmimeve të reduktuara për kategori të ndryshme shoqërore.
Benefitet financiare që duhet të përfitojë “shtëpia” kombëtare e artit, kërkojnë rishikime të mëtejshme të kuadrit ligjor, që do të mundësojnë që, fondet e vetëgjeneruara të mbeten në arkën e Teatrit, në shërbim të artistëve dhe cilësisë artistike.
Si shembuj reference po merren modelet më të suksesshme të teatrove nacionalë europianë, për të pasur një kuadër sa më të plotë të skemave të qëndrueshme.
Aktualisht, të ardhurat e gjeneruara si nga biletat ashtu edhe nga përdorimi afatshkurtër i ambienteve të Teatrit, shkojnë në masën 70% në arkën e shtetit dhe vetëm 30% në atë te TKOBAP.
Pandemia, kjo krizë e madhe botërore vendosi sfida të reja, por nxori në pah edhe më fort, rolin kyç që ka shteti në skemat menaxheriale të teatrove në mbarë botën.
Ministria ka qëndruar e do qëndrojë gjithmonë një institucion me dyer të hapura për debatin konstruktiv dhe gjithmonë e distancuar nga dizinformimet dhe keqinterpretimet e fakteve.
N.D./abcnews.al