Gareth Bale i dha fund aventurës 7-vjeçare me Real Madrid. Polemikat në vitet e fundit nuk munguan, teksa uellsiani vendosi të kthehet te Tottenham, aty ku shpërtheu dhe u bë një lojtar i famshëm.
31-vjeçari, i cili është huazuar te Spurs për sezonin e ardhshëm, ka folur për Sky Sport rreth problemeve me “Los Blancos”, kritikave dhe aventurës së re në Premier League.
“Nuk kam asnjë peng në lidhje me Real Madrid, është e sigurt kjo që po them. Unë dua vetëm të luaj futboll, kjo është gjithçka që di të bëj dhe nuk e kontrolloj dot atë që thuhet për mua nga persona të jashtëm. Nuk pendohem për gjërat që kam bërë, nuk shqetësohem aspak për fjalët që qarkullojnë lart e poshtë.
Isha pjesë e një vendi dhe kulture tjetër, jam rritur shumë si njeri gjatë viteve të kaluara në Spanjë. Duhet të mësohesh se si t’i përballosh disa situata. Sigurisht që presioni ndaj meje ka qenë i madh.
Unë luaja dhe kishte persona që më fishkëllenin. Por, këto janë situata ku mëson shumë. Mësova të mos i marr shumë seriozisht disa gjëra që ndodhnin. Vetëm kështu mund të ecësh përpara.
Tottenham? Dëshiron të bësh më të mirën kur transferohesh në një klub tjetër. Dëshiron të ndihmosh ekipin sa më shumë. Mendoj se kemi një skuadër të madhe dhe gjërat po na ecin mirë. Tottenhami ka luajtur në finalen e Champions dhe ka ndërtuar stadium të ri.
Edhe vetë klubi është përmirësuar shumë, unë kam ardhur të jap diçka ekstra nga vetja. Dua të përmirësoj edhe më shumë ekipin. Jam i bindur që do të zhvillojmë një sezon të shkëlqyer“, deklaron sulmuesi uellsian. /abcnews.al

