Lefter Zhidru, i cili u ekzekutua nga RENEA ditën e djeshme në Elbasan pasi lëndoi dy të rinj dhe terrorizoi një lagje të të tërë, ka ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes.
Sipas raportimeve ai ishte martuar tre herë dhe bashkëshortja e tij aktuale është mbajtur prej orësh në komisariat për moskallëzim krimi.
Për ta trajtuar këtë tragjedi përtej kronikës, në studion e ABC-ja e Mëngjesit ishte psikologia Gejsi Ndoja, ndërsa virtualisht e pranishme ishte edhe sociologia Entela Binjaku.
Duke iu referuar mos raportimit të dhunës nga ana e bashkëshortes, Gejsi Ndoja shpjegon se ky lloj veprimi “është i rrënjosur” në shoqërinë tonë, si pasojë e mentalitetit ndër vite.
“…Zonja nuk ka raportuar asnjëherë. Mentaliteti jonë është formësuar, që ne të mos e raportojmë dhunën. Janë lodhur duke denoncuar dhe duke u tërhequr denoncimi. Për arsye të shoqërisë, mentalitetit.”
Po ashtu, sipas psikologes, zonja nuk duhej të mbahej e ndaluar por mund të pyetej rreth ngjarjes në një moment tjetër.
Ndërsa, sociologia Entela Binjaku shpjegoi se problemi mund të qëndrojë edhe tek një paqëndrueshmëri emocionale e mundshme e viktimës.
“Në dukje është qytet i zakonshëm. Së pari është i zhvendosur nga zona e vet rurale, drejt një qyteti relativisht të madh. Problematika që bart me vete ky proces. Vëmë re një proces divorci të përsëritur. Paqëndrueshmëri emocionale. Ka mjaft qytetarë, që edhe pas zgjdhjes ligjore vijojnë të jetojnë në të njëjtin kulm. Dhe kjo krijon probleme.”
Binjaku vë gjithashtu në dukje që kemi dhe një indiferencë të shoqërisë që vepron vetëm në momentin që ngjarja ka ndodhur tashmë.
“Martesat me diferenca, kanë vështirësi, komodititete.. të gjitha bashkë. ishin të divorcuar. Në dukje me xhelozinë, në themel ndoshta mbante një problem që lind nga diferenca në moshë. Kemi një indiferencë në shoqëri, ka protagonizëm vetëm kur ngjarja ndodh. Ndoshta sepse u mësua shoqëria nga ngjarje të përditshme.”
Nga ana tjetër, psikologia Ndoja vë në dukje se shoqëria jonë ngre në piedestial mashkullin.
“Është burrë, është djalë, është ai që vendos, është ai që është i pari. Kjo e bën femrën të ndihet e dobët. E brishtë, më shumë sesa ç’është. Zotria është mësuar që të ishte gjithnjë qendra ai që vendoste për çdo gjë heqja e dritave ishte për të manipuluar situatën. U bë element, u bë personazh.”
Një tjetër faktor shqetësues sipas saj, është fakti që nëna është ndarë nga vajza e mitur.
Sipas psikologes, vajza 14-vjeçare duhet që në këtë gjendje që është të jetë domosdoshmërisht me nënën.
“Bashkëshortja duhet trajtuar ndryshe, vajza 14-vjeçare duhet domosdoshmërisht të qëndrojë me nënën. Duhet të jenë të treja bashkë. T’u ofrohet diçka ndryshe nga ajo që kanë kaluar, apo jeta që kanë bërë.” s.b/abcnews.al/