Gazetari Aldo Kozarja ka siguruar për Abcnews.al dëshminë e dy të rinjve, kalimtarë të rastit që u plagosën sot në Elbasan, A. K. 21 vjeç dhe L. S. 22 vjeç nga Lefter Zhidru, i cili hapi zjarri me kallashnikov në momentin që policia shkoi drejt banesës së tij. Të plagosurit ndodhen në spital jashtë rrezikut.
Dy të rinjtë i thanë gazetarit të Abc News Aldo Kozarja se ishin duke shkuar në shtëpi në momentin ku u plagosën. “As vetë nuk e dimë nga na erdhi. Po ktheheshim në shtëpi për të ngrënë bukë. Ishim duke ecur kur pamë që po na dilte gjak nga këmbët. Në atë moment u futën në një banesë, pasi nuk po dinim cfarë po bëhej”.
Mjeku Behar Gjevori u shpreh për mikrofonin e Abc News se dy të rinjtë, që kanë plagë në këmbë janë jashtë rrezikut për jetën. “Nuk kanë probleme për jetën” tha ai. Njëri prej dy të rinjve është student. E ndërsa fatmirësisht të rinjtë shpëtuan, vijon operacionin për arrestimin e autorit, i cili i armatosur nuk pranon që të dorëzohet.
Abcnews.al mëson se vajza e Lefter Zhidrus, po negocion përmes telefonit me të atin për ta bindur që të dorëzohet. Gazetarja Xhensila Kodra raporton se nëse nuk do të dorëzohet, RENEA mund të ndërhyjë edhe me gaz lotsjellës për ta neutralizuar në banesë. Lefter Zhidru është me origjinë nga zona e Xarrës, Sarandë. Prej rreth 5 vitesh ai kishte ardhur nga Saranda në Elbasan.
Prej orës 13:00 të ditës së sotme kur nisi konflikti me gruan dhe që më pas qëlloi në drejtim të policisë, i moshuari vijon që të qëndrojë në banesë duke mos pranuar që të dorëzohet./ db/Abcnews.al