Kina kopjon Kubën, sulm akustik kundër një funksionari qeveritar amerikan

schedule13:08 - 24 Maj, 2018

schedule 13:08 - 24 Maj, 2018

Një zyrtar i qeverisë amerikane ka pësuar sulm akustik në Kinë. Gjendja e tij shëndetësore duket e mirë dhe është kthyer në SHBA për ekzaminime të mëtejshme. Disa kohë më parë, disa diplomatë amerikanë pësuan trauma të mëdha në Kubë për shkak të sulmeve akustike.

Një funksionar i qeverisë amerikane në qytetin Guanzhu, në jug të Kinës, duket se ishte objekt i një sulmi akustik, i njëjtë me ato të ndodhur ndaj disa diplomatëve të SHBA në Kubë në 2016. Zyrtari, i cili tashmë është dërguar në Shtetet e Bashkuara për ekzaminime mjekësore, ka raportuar në fund të 2017 dhe prillit 2018 për “ndjesi anormale akustike dhe presion të paqartë” dhe u diagnostikua me një lëndim të lehtë traumatik të trurit.

Departamenti Amerikan i shtetit ka thënë se për momentin nuk ka sinjalizime për raste të tjera. Megjithatë ka paralajmëruar qytetarët amerikanë në Kinë dhe ka organizuar takime me personelin diplomatik për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur me zyrtarin qeveritari.

Ndërkohë, vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara vendosën që të tërhiqnin një numër të gjerë të funksionarëve dhe të punësuarve në zyrat e saj diplomatike në Kubë. Ky vendim erdhi pasi disa prej tyre treguan simptoma të ngjashme me ato që shkakton një sulm akustik, mes të cilave humbje të dëgjimit, lodhje, dhimbje koke, marrje mendësh dhe pakësim shikimi.

Akoma nuk është e qartë se në çfarë mënyre janë kryer sulmet akustike. /abcnews.al